Nëse keni përdorë gjoksin dhe kofshët e shotës/rosës, ato që mbesin nuk kanë shumë mish por kanë shije fantastike për lëngun që mund të bëjnë, e në këtë rast është shumë e përshtatshme me jufkat e Dibrës. Është shumë lehtë të pregaditet nëse keni edhe pulë apo gjel fshati pasi i japin shije fantastike jufkave.
Së pari duhet të pregatitet lëngu i mishit, e pas kësaj procesi i mbetur është shumë i shpejtë.
Përbërësit (për 4-5 persona)
- 1 kg copa të shotës/rosës ose pulë/gjel fshati
- 1 qepë mesatare
- 2 karrota
- 1 copë nga rrënja e selinos ose 1 pastinak (opcionale)
- 5-6 gjethe të sherebeles (ose ndonjë tjetër që preferoni)
- 1/4 lugë kripë
- 1.2 l ujë për zierje të mishit
- 250 gr-300 gr jufka Dibre apo ndonjë pastë të ngjajshme (bën edhe jufka të Prizrenit)
- 2 thelpinj hudre të ndrydhur për aromatizim të vajit
- 2 lugë lëng limoni use 1 lugë uthull e lehtë
- 2 lugë vaj ulliri (apo sipas nevojës)
Përgaditja
- Së pari e lani mirë mishin dhe e kulloni. Mos harroni ti pastroni mirë duart me sapun sidomos kur punoni me pulë
- Pastroni dhe coptoni karrotat, rrënjën e selinos apo pastinakun dhe qepën
- Pastroni gjethet e sherebeles
- I qitni të gjitha së bashku me mishin në tenxheren ku doni ti zieni
- Tani i shtoni kripën dhe ujin dhe e veni të zihet. Së pari e leni në temperaturë maksimale deri sa të marrë valë dhe pastaj e ulni në minimum që të zihet ngadalë. Nëse përdorni tenxhere me presion zieni 45 – 50 minuta. Nëse e zieni në tenxhere klasike e leni së paku dy orë ose deri sa ju duket që mishi është zbutur
- Pasi që të zihet mishi e hapni pak që të ftohet dhe pastaj ndani lëngun nga mishi dhe perimet
- I ndani edhe copat e mishit aq sa mundeni nga ashti, ndonjë e leni së bashku me asht. E leni anash për më vonë. Perimet dhe sherebeleja nuk ju duhen më prandaj mund ti shtrydhni mirë në lëngun e mishit dhe i hudhni
- Tani filloni me pregatitjen e jufkave
- Qëroni hudrat dhe i ndrydhni pak
- Në një tepsi, që e qitni mbi zjarrë pak më ultë se maksimumi, kur të ngrohet e qitni vajin dhe hudrën dhe e leni që hudra të lëshon aromën në vaj
- E largoni hudrën dhe tani i qitni jufkat në vajin e nxehtë dhe i mbështjellni mirë me vaj, i leni të pjeken pak duke i përzier vazhdimisht që të mos digjen
- Posa ju duket që kanë thithur vajin dhe janë skuqur pak, ia shtoni lëngun e mishit që e keni kulluar deri sa i mbulon jufkat
- Tani e leni që të zihet pak në zjarrë, dhe e lëshoni furrën që të ngrohet në 220 °C
- I shtoni lëngun e limonit, ose uthullën, jufkave; e përzieni pak dhe e shpërndani mishin mbi jufka. E leni ende mbi zjarrë deri sa nxehet furra
- Kur nxehet furra e ndërpreni zjarrin e jufkave dhe e shtini në furrë
- E leni në furrë për afro 15 minuta apo deri sa e vëreni që nuk ka më lëng
- E ndërpreni temperaturën e furrës dhe e leni edhe pak në furrë
- E nxerrni nga furra dhe e leni pak të ftohet para se ta servoni
Servimi
E servoni me sallatën tuaj të preferuar.
Ju bëftë mirë!






