Nëse keni pregaditur salcën tuaj të domateve, kjo recetë është shumë e shpejtë dhe e shijshme. Natyrisht mund të përdorni edhe salcë domatesh të blerë por shija do të jetë pak më e thartë. Poashtu mund të përdorni edhe pak nga salca e djegës ose, nëse nuk keni tuajën, mund të shtoni pak piper të djegës apo vaj ulliri me speca të djegsa.

Edhe për këtë recetë përdori pasta pa vezë pasi që për mua më duket se e thithin salcën më mirë dhe lëngu i tyre e bën salcën më të shijshme. Si zakonisht e ndaj një gotë nga lëngu i pastave para se ti kulloj.

Përbërësit (për 3 veta)

  • 250 gr pasta durum (pa vezë) si spageti apo linguine ose çkado që preferoni
  • 2 litra ujë
  • 1 lugë kripë
  • 200 – 250 gr këpurdha të freskëta (çfarëdo lloji që keni)
  • 3 thelpinj hudër
  • 1/4 e gotës verë e bardhë ose rosé
  • 6 lugë salcë e domates e shpisë apo e blerë
  • 1/6 lugë salcë e djegës ose pak vaj i djegës
  • 1/2 lugë rigon e thatë ose 2 lugë magdanoz i freskët i grimcuar
  • pak piper i zi

Përgaditja

  1. E mbushni tenxheren me ujë dhe e vnoni në zjarrë që të vlojë. Posa të merr valë i shtoni kripën dhe pastat. I leni të zihen në zjarrë mesatarisht të lartë pa kapak. I përzieni në fillim që të mos ngjiten njëra me tjetrën
  2. I pastroni këpurdhat me letër kuzhine, ose brushë, që t’iu largoni dheun apo mund të ju largoni cipën nëse është vështirë të largohet dheu. Mos i lani. I coptoni në copa jo shumë të vogla
  3. I pastroni thelpinjtë e hudrës dhe i grimconi, e pastroni dhe e grimconi magdanozin nëse e përdorni
  4. Kontrolloni pastat dhe, nëse janë gati të zihen por janë ende pak të forta në kafshim, e ndërpreni zjarrin. E ndani një gotë me ujin e pastave dhe i kulloni pastat
  5. Në një fërtere të thellë, ose wok, e qitni vajin dhe e shtoni hudrën. E përzhitni 30 sekonda në temperaturë të lartë dhe i shtoni menjëherë këpurdhat. Posa të ndryshojnë ngjyrën këpurdhat i shtoni verën dhe e përzieni pak deri sa të avullohet. Tani e shtoni lëngun e pastave dhe e zieni për afro 1 minutë. E shtoni rigonin (nëse nuk e përdorni magdanozin), e shtoni salcën e djegës (apo vajin), e shtoni salcën e domateve dhe i përzieni që të bëhen mirë bashkë
  6. Tani i shtoni pastat dhe ulni pak temperaturën. Me kujdes i përzieni pastat që të thithin lëngun. E mbyllni temperaturën, i shtoni pak piper të zi dhe magadanozin (nëse e përdorni)

Servimi

E servoni menjëherë si drekë apo darkë, nëse preferoni me sallatë. Në fund mund ti shtoni edhe pak parmezan.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment