Kjo është recetë që zakonish pregatitet në mëngjes por edhe pasdite për çaj. Është recetë e shpejtë që pregatitet në çast, piqet shpejtë dhe servohet e ngrohtë.

Është recetë e përshtatshme kur keni musafirë të pa paralajmëruar apo nëse doni diçka të shpejtë në mëngjes që është më e shëndetshme se llokumat e fërguar. Ka verzione lehtësisht të ëmbla por edhe të njelmëta. Mund të bëhet me puter/gjalpë por edhe me vaj.

Unë këtë herë e bëra me arra, verzion që shkon shumë me djathë të dhisë apo të deles dhe me rrush të freskët apo me ndonjë reçel, e që shoqërohet mirë me çaj apo tamël/qumësht.

Kurrë mos e ngjeshni brumin dhe as mos e tundni, duhet vetëm të përzihet dhe pastaj të mblidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Brumi nuk duket i lëmuar por ashtu duhet të jetë. Nëse e preni brumin me gotë, në vend se me thikë, gotën e tërhiqni lartë, mos e sillni se kështu nuk ju fryhen. Pra, e shtypni gotën deri sa e preni brumin dhe vetëm e tërhiqni lartë.

Përbërësit (për 6 – 8 veta)

  • 230 gr miell
  • 1 lugë mesatare pluhur për pastë (fryrës)
  • 50 gr puter/gjalpë e ftohtë e prerë në katrorë
  • 50 gr arra të grira imët
  • kripë në maje të lugës
  • 1 lugë sheqer
  • vanile pluhur ose e bluar (opcionale)
  • 130 ml qumësht (ose pak më shumë varësisht prej miellit)
  • 1 ve

Përgaditja

  1. E lëshoni furrën në 220°C
  2. I grimconi arrat ose i bluani në mikser me thikë por jo shumë imët
  3. I qitni të gjithë përbërësit e thatë në një enë ovale, i përzieni
  4. Ia shtoni puterin/gjalpin e coptuar dhe me dorë e shtypni dhe e përzieni me miell që të shpërndahet mirë
  5. Në një gotë e tundni vezën dhe ia shtoni tamlin/qumshtin
  6. Ia shtoni këtë masë të lëngshme miellit me përbërësit tjerë dhe i përzieni deri sa fillon të bashkohet masa. Mos e tundni dhe mos e ngjeshni, vetëm e bëni bashkë. Nëse ju duket masa e hollë i shtoni miell ose nëse është brumi shumë i thatë i shtoni pak tamël/qumësht
  7. Në një tepsi e qitni një letër për pjekje dhe e qitni brumin direkt në të
  8. E shtypni lehtë, duke i dhënë formë me duar në trashësi të gishtit të vogël, dhe pastaj e preni me thikë në trekëndësha mundësisht të barabartë
  9. I largoni pak copat prej njëra tjetrës që të mund të piqen më mirë
  10. E futni në furrë dhe e pjekni për 15-20 minuta apo deri sa të marrin ngjyrë të artë në sipërfaqe. Mos e teproni me pjekje, e largoni menjëherë që vëreni që sipërfaqja ka filluar të piqet

Servimi

I servoni menjëherë në mëngjes, apo pasdite me çaj, me djathë të bardhë dhe reçel. Nëse keni djathë të dhisë përshtatet shumë por është shumë e mirë edhe me të deles apo ndonjë djathë tjetër që preferoni ju.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment