Kur keni lëng mishi të tepërt si ky lëng i shotës/rosës dhe nëse ju ka tepruar tofu nga mizo supë apo ndonjë recetë tjetër, mund të pregatisni shumë lehtë ramen që mund ta shërbeni si drekë të plotë.

Lëngun e shotës mund ta ruani në frigorifer tri ditë, më gjatë se kaq mund të fillon të humbë pak shijen. Nëse doni të zgjasë më shumë e mbani në friz. Tofu në anën tjetër, pasi që hapet duhet të konsumohet brenda dy ditëve. Prandaj kjo recetë ndihmon që të shfrytëzohen tepricat.

Për ramen duhet çdo herë të keni ndonjë pastë (noodels) për ta servuar gjë që ia rritë vlerat ushqyese duke e bërë më të plotë përtej një supe të zakonshme. Mua më pëlqejnë soba noodels, po në Kosovë nuk gjenden. Soba është hikërr, pra nuk është drithë. Në ndonjë prej posteve të ardhshme shpresoj që të ju jap edhe recetën e soba noodels, ka edhe në internet nëse doni ta bëni vet deri atëherë. Përndryshe mund të përdorni noodels të gatshme aziatike që gjinden në shitoret tona, tentoni të merrni llojin që nuk përmbajnë ve pasi që përshtaten më shumë.

Nëse mund të gjeni shiitake këpurdha, shija përshtatet shumë mirë, sidomos kur janë të thata dhe ujin për rehidrim mund ta shtoni në lëngun e supës. Është për të ardhur keq që Kosova prodhon shiitake fantastike dhe asnjë nuk gjindet në tregun tonë, fatkeqësisht të gjitha përfundojnë në tregun Evropian. Nëse jeni në Mitrovicë tentoni ti gjeni, ndoshta i bindni të ju japin disa :-). Përndryshe këpurdhat tjera të freskëta, që gjinden në gati çdo shitore të perimeve, janë shumë të mira poashtu për këtë recetë.

Përbërësit për 4 persona

  • 80 – 100 gr pasta (ose soba noodels)
  • pak kripë për zierje të pastave (për soba nuk ka nevojë kripë)
  • 1.2 – 1.5 l lëng i shotës/rosës apo çkado që keni
  • 100 gr mish nga lëngu i mishit (shotës/rosës). Nëse nuk keni, mund të shtoni pak më shumë këpurdha ose mund të vendosni të shtoni ndonjë copë mishi të pjekur, apo edhe ve të ziera të ndarë në gjysmë, në fund
  • 5 këpurdha shiitake të rehidruara dhe uji i tyre i kulluar (ose vetëm këpurdha të zakonshme të freskëta)
  • deri 200 gr tofu i butë
  • 300 gr spinaq apo gjethet tjera që preferoni apo që i keni (gjethe të lakrës apo kel, pazia, etj) mund edhe t’i kombinoni disa lloje
  • 1 thalb hudër i madh
  • 1 copë xhenxhefil sa madhësia e thalbit të hudrës
  • 1 lugë soja sos (apo sipas nevojës për kripë)
  • 1 lugë uthull orizi apo ndonjë uthull tjetër e lehtë
  • Pak bishta të qepve

Përgaditja

  1. Së pari i pastroni të gjithë përbërësit që kanë nevojë të pastrohen. Nëse i përdorni shiitaket e terura, i ulni në ujë të ngrohtë për 30 minuta, pastaj i kulloni dhe i shtrydhni mirë; e kulloni edhe lëngun që ta përdorni pastaj si shtesë në lëngun e supës
  2. Coptoni copat e mishit nëse keni, ose i zieni vezët (2 copë nëse jeni 4 persona) ose pjekni ndonjë copë mishi nëse doni. E leni anash derisa të pregatisni përbërësit tjerë
  3. I zieni pastat në shumë ujë me shumë pak kripë, ose pa kripë nëse keni soba noodels. Pasi që të zihen (sipas kohës së udhëzuar, mos e teproni me zierje se do të ngjiten dhe nuk do të kenë shije), i kulloni nga lëngu i nxehtë dhe i shpërlani menjëherë dhe mirë me ujë të ftohtë që të ndërprehet zierja. Kështu i ruhet freskia dhe poashtu nuk ngjiten me njëra tjetrën. Nëse megjithatë ju duket se do të ngjiten mund ti hidhni shumë pak vaj
  4. Tani grimconi mirë hudrën me xhenxhefilin së bashku dhe i qitni në një tenxhere ku do ta bëni supën
  5. I preni këpurdhat dhe lakrat/spinaqin dhe i qitni edhe ato në tenxhere
  6. Tani i shtoni uthullën dhe lëngun e mishit (dhe të shiitakeve nëse e keni) dhe e veni mbi zjarrë në maksimum
  7. Deri sa prisni që të nxehet rameni, e preni tofun në katrorë dhe i grimconi edhe bishtat e qepve
  8. Kujdesuni që rameni mos të merr valë por vetëm të ngrohet, prandaj filloni ta ulni ngapak temeraturën nëse ju duket se mund të vlon pasi që nuk duhet të zihet por vetëm të ngrohet mirë
  9. Kur vëreni se është afër vlimit, i shtoni edhe tofun e prerë dhe e leni të nxehet edhe pak deri afër vlimit. Provojeni nëse ka kripë mjaftueshëm dhe nëse jo i shtoni edhe soja sosin (1 lugë ose aq sa ka nevojë)
  10. Ndërprejeni temperaturën tërësisht, shtoni edhe bishtat e qepve dhe largojeni nga zjarri

Servimi

E servoni menjëherë, në pjata të supës apo në ndonjë pjatë më të thellë që e preferoni. Së pari e qitni një sasi të pastave në pjatë pastaj i shtoni ramenin përmbi. Nëse përdorni ve të ziera, i shtoni secilës pjatë nga një copë pasi që e keni shtuar lëngun. Nëse keni mish të pjekur, e preni në feta të holla dhe i shtoni nëpër pjata nga 2-3 feta.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment