Kur keni teprica të pjekjeve të pulës, fazanit (ose ndonjë shpendi tjetër) apo të lepurit (pasi që është tërësisht i ngjajshëm me shijen e pulës) mund të bëni pasta të nesërmen, nëse pritoni të bëni ndonjë drekë më të komplikuar, ose dhe mund ta bëni për darkë të shpejtë nëse keni musafirë.

Ju duhet pasta që nuk përmbajnë vezë, cilatdo që ju pëlqejnë. Kjo recetë është verzion i ragusë së shpejtë të cilën mund ta bëni edhe me mish të kuq. Kur të përdorni mish të kuq e zëvendësoni verën e bardhë, që e përdorim në këtë recetë, me verë të kuqe.

Përbërësit

  • 250 gr pasta
  • kripë për zierje të pastave
  • 150 – 200 gr mish tepricë nga pjekjet e pulës (apo ndonjë tjetër shpend) ose lepurit
  • 4 -5 këpurdha guacë të ndara me dorë (opcionale)
  • 200 ml pasatë domatesh (ose dy domate të mëdha të qëruara, të shtrydhura mirë me dorë dhe të grimcuara)
  • 1 karrotë mesatare e prerë në petëza të holla
  • 1 pastinak (mesatar) i prerë në petëza të holla ose rrënjë selinoje në petëza të holla (apo e gërryer në rende)
  • 1 qepë mesatare e prerë hollë
  • 2 thelpinj hudër të grimcuar
  • gjethe dafinë (ose rigon, apo çkado që preferoni)
  • pak kripë sipas nevojës (lëngu i pastave ka kripë prandaj ndoshta nuk ka nevojë fare)
  • pak piper i zi
  • 2-3 lugë verë të bardhë
  • 2-3 lugë vaj ulliri për përzhitje
  • parmezan për servirje (opcionale)

Përgaditja

  1. Së pari i zieni pastat në shumë ujë me kripë, mos i shtoni vaj. Keni kujdes që të mos e teproni me zierje, duhet ta ruajnë pak fortësinë pasi që do të zihen edhe në salcën që do të pregatisni
  2. Kur të jenë zier pastat, ndani 2dcl – 2.5 dcl lëng të pastave. Tani i kulloni pastat dhe i leni anash deri sa të filloni me pregatitjen e ragusë. Nëse doni, i hudhni pak vaj ulliri që të mos ngjiten me njëra tjetrën
  3. Në një fërtere të thellë (ose vok) hudhni vajin dhe e nxeni mirë (por mos e digjni, nëse fillon të tymosë e hudhni atë vaj se është i rrezikshëm)
  4. I shtoni qepët që të përzhiten, posa të zbuten pak i shtoni gjethen e dafinës (mëlmesat tjera shtohen më vonë nëse keni diçka tjetër në vend të dafinës), i shtoni edhe hudrat, karrotat, pastinakun (ose rrënjën e selinos) dhe këpurdhat nëse i përdorni. Përzini pak deri sa të zbuten dhe i shtoni pasatën e domateve (ose domatet)
  5. Nëse e përdorni pasatën, nuk duhet shumë kohë që të përzhitet por vetëm deri sa të lidhen shijet. Nëse jeni duke përdorur domatet e freskëta, i përzhitni në temperaturë të lartë deri sa të shkrifen
  6. Tani shtoni copat e mishit dhe verën e bardhë
  7. Pritni pak të avullojë vera e bardhë dhe i shtoni pastat
  8. I përzieni që pastat të shpërndahen mirë dhe të marrin lëngun dhe e ulni pak temperaturën
  9. Shtoni ujin që e keni ndarë nga pastat
  10. E përzieni me kujdes duke i nxjerrë pastat nga fundi lartë në mënyrë që të gjitha pastat të marrin lëngun dalë-nga-dalë
  11. Posa të vëreni që lëngu ka filluar pak të thithet nga pastat e ndërpreni tërësisht zjarrin dhe i shtoni kripën (nëse ka nevojë pasi që lëngu i pastave ka kripë, prandaj e provoni së pari), piperin e zi dhe ndonjë barishte të freskët që e përdorni
  12. Tani largojeni anash dhe servojeni menjëherë. Pastat duhet të jenë të lëngshme, pra nuk duhet të pritni që të thithet lëngu në tërësi, qëllimi është që salca të jetë si e mëndafshtë, mos të jetë e thatë dhe e ngjitshme

Servimi

E servoni menjëherë me parmezan ose me magdanoz të grimcuar apo me pak piper të zi. Mos harroni ti largoni gjethet e dafinës kur ti servoni pastat.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment