Kur arroganca keqkuptohet si kompetencë

Në punën tonë të përditshme jemi aq të zanun me kryerje të punës, afate, relacione, probleme, konflikte, frika nga shumë gjëra, sa që nuk jemi në gjendje të mendojmë me “sy hapur” por veprojmë në autopilot. Gjatë kësaj kohe na ndodhë që të kemi punë me njerëz në pozita menaxheriale që thjesht pa pritur na japin “shuplakë” me arrogancën e tyre dhe sjelljen e tyre të ftohtë dhe të ngrirë. Kjo natyrisht na qet jashtë binarëve dhe ne duhet tani të merremi me një “sulm” të pakuptimtë, me një situatë kur ne duam të gjejmë zgjidhje dhe në të vërtetë në anën tjetër kemi të bëjmë me “muri” e jo me person – situatë e dhimbshme që na lë shije metalike në gojë. ..

Kush janë këta persona arrogantë? Arroganca vie nga jokompetenca për fushën apo pozitën të cilën e mbanë personi arrogant.

Pse janë njerëzit jokompeten arrogant? Për shkak se me arrogancë kompensojnë mungesën e kompetencës – pra mungesën e dijes dhe eksperiencës së nevojshme për fushën e caktuar në të cilën veprojnë. Çka është edhe më paradoksale, këta persona nuk kanë potencial të mësojnë edhe nëse kalojnë 10 vite në të njejtën pozitë.

Pse ndodhë kjo? Në realitet personat arrogant nuk kanë vetëbesim dhe e nënvlerësojnë veten. Në mënyrë që të mund të funksionojnë në mesin e të tjerëve që janë kompetent në atë që e bëjnë, këta persona duhet të aktrojnë vetbesimin, i mësojnë truqet, vjedhin idetë prej tjerëve dhe i prezantojnë si të vetat, mundohen që në punë, shoqëri dhe familje ti përulin dhe ti “shkatërrojnë” të gjithë ata që janë të rrezikshëm për reputacionin e tyre. Krijojnë rrethin e të “besueshmëve”, si vëllazëri, dhe me këtë faktorizohen dhe bëhen pjesë e lojërave të mëdha në biznes, politikë, iniciativa apo asociacione të ndryshme që ju ndihmojnë të katapultohen në mesin e njerëzve të suksesshëm.

Suksesi i përkohshëm fatkeqësisht iu vë në gjumë tërësisht hemisferën e trurit që ju nevojitet për arritje të pjekurisë dhe urtësisë. Mendimi fillon të bëhet i njëtrajtshëm dhe dal-ngadalë barrikadohet, një herë intelektualisht dhe pas një kohe edhe fizikisht. Këta persona i ikin maksimalisht kontaktit me persona tjerë, nuk janë të sigurtë në takime joformale pasi që nuk mund të imponojnë autoritetin jashtë “çerdhes” së vet. Vetëm titulli apo pozita në shoqëri (reputacioni) iu jep siguri dhe këtë e mbrojnë me çdo kusht dhe brutalitet dhe prandaj shkaktojnë shumë dëme rreth vetes.

Pse të gjithë biem viktimë e tyre? Problemi më i madhi tek natyra e njeriut është se e keqkupton arrogancën për kompetencë. Personat arrogantë kanë qëndrim imponues pasi që investojnë shumë mund dhe kohë në mësimin e truqeve se si duhet të duken profesional dhe krijojnë nivel të lartë të aftësive manipuluese. Të tjerët që nuk janë manipulativ nisen prej vetes dhe mendojnë që personi me të cilin takohen në realitet është më kompetent se ata për shkak të sigurisë dhe bindshmërisë së tyre në relacion me tjerët.

Lini një koment