Thana është hapësira ku do të postoj të gjitha mësimet që i kam mësuar gjatë jetës. Është blog i përzier me disa tema. Secila prej saj është pjesë e imja dhe diçka që mendoj se ndoshta do ti ndihmon tjerëve që kanë të njejtat interesa apo fate në jetë.
Blogu do të rritet çdo ditë dhe dalë nga dalë do të marrë formën e vet, edhe pse në dukje kaotike dhe jo lidhje direkte ndërmjet njëra tjetrës. Por, kështu jemi të gjithë, kemi interesa të ndryshme, përjetime dhe ndodhi jetësore që nuk i presim. Prandaj, edhe ky blog do të jetë thjeshtë njerëzor, kompleks, kaotik por me shumë mësime dhe këshilla që shpresoj do ju ndihmon personave që kanë kaluar apo janë duke kaluar nëpër sfida dhe beteja të ndryshme jetësore. Në vazdhim do flas për secilën pjesë përbërëse të blogut.
Kuzhina
Pjesë e rëndësishme e jetës sime është kuzhina. Unë kam fillu shumë herët të krijoj pasionin për zierje dhe gatim prandaj është pjesë e pandashme e imja. Unë s’jam unë nëse gati çdo ditë nuk mësoj diçka të re në fushën e kulinarisë, ushqyeshmërisë, produkteve ushqimore apo recetave dhe kulturave në kuzhinë. Këtu do të gjeni të gjitha recetat që unë i kam zier vet dhe do të tentoj maksimalisht që të postoj së bashku edhe fotot e secilës recetë. Natyrisht, mund të bëni pyetje dhe të postoni eksperiencat e juja me recetat nëse i keni provu.
Personale
Në personale, do të shqyrtoj, nga prizmi personal dhe betejat personale, mentalitetet tona në Kosovë dhe problemet shoqërore matriarkale dhe patriarkale, pasi që shoqëria jonë është një amalgam i të dyjave. Pritshmëritë që i ka shoqëria Kosovare mbi femrat e sidomos të martuarat, për presionin që është i tmerrshëm nëse je kundër rrjedhave dhe nuk përshtatesh. Prandaj, do të jem shumë e drejtpërdrejtë dhe kush nuk ka stomak ta përbijë, më mirë të vazhdon në ndonjë faqe tjetër, ky blog nuk është për ty.
Tregimi im
Këtu do të flas për luftën time deri tani me kancer. Edhepse nuk e konsideroj veten si luftëtar kundër kancerit, apo mbijetues i kancerit, pasi që më duken etiketime të panevojshme. Secili prej nesh e ka një luftë shëndetësore, dikush më pak e dikush më shumë, fizike apo psiqike. Të gjithë e paguajmë çmimin e asaj se çfarë jete bëjmë e sidomos të asaj se a jemi “dhënës” apo “marrës” ndaj tjerëve. Duhet të ju paralajmëroj se do të jem shumë e drejtpërdrejtë, prandaj kujt nuk i pëlqen, veç le të vazhdon diku në ndonjë web faqe tjetër, pasi që lufta me kancerin nuk është e lehtë. Por, ajo që shpresoj shumë është se, do ti ndihmon sado pak secilit apo secilës që është duke luftuar me kancerin dhe është duke kaluar në faza të vështira të ballafaqimit. Prandaj, ndjehuni të lirë të ndani mendimet dhe të bëni pyetje, por më së shumti ju lus që të ndani tregimet tuaja të cilat do të pranohen si pjesë përbërëse e kësaj faqe nëse mund ti ndihmojnë dikujt tjetër.
Unë do të ndajë këshilla dhe çka kam mësuar për vete, por kjo është vetëm një pikëvështrim, prandaj shpresoj se dalngadalë do ta ndërtoj këtë faqe me ndihmën e tjerëve.
Pa pardon
Pasi që e keni kuptuar deri tani prej sqarimeve më lartë që jam person i drejtpërdrejtë, kjo pjesë do të jetë direkte dhe kritikë e të gjitha lajmeve, thashethënave, analistëve dhe të gjithë atyre që mendojnë që janë të pagabueshëm edhe që konsiderojnë që ne nuk e shohim prapavinë e tyre. Shpresoj që të ju jep energji dhe të ju freskojë dhe shpresoj që nuk do të bie në arrogancën e atyre që do të kritikoj. Shpresoj që të mos mendoj edhe unë që jam e pagabueshme. Është eksperiment, ta shohim si do të zhvillohet.
Postimet mund të jenë shumë të shkurta apo edhe të gjata, varet prej çështjes.
Psikologjia e biznesit
Këtu do të gjeni mendime profesionale nga fusha që kam punuar pjesën më të madhe të jetës, si në fushën e psikologjisë së biznesit apo çështjet e ndryshme shoqërore, mentalitete dhe shumë probleme ditore të cilat janë pjesë integrale e secilit prej nesh. Ne tentojmë të ndajmë personalen, socialen dhe psikologjinë nga puna dhe biznesi, e ky është gabimi më i madh që mund të bëjmë. Prandaj këtu do të ketë lloj lloj tema të ndërthurura që ndikojnë në ne për çdo ditë dhe na definojnë se si sillemi në punë dhe biznes.