Hitha është bimë që përdoret, gati tek të gjithë popujt, në pranverë pasi që është një ndër bimët e para pas dimrit që mund të përdoret e freskët për ushqim. Është e pasur me vitamina dhe minerale por edhe proteina dhe mund të arrijë deri në 25% të përbërjes së saj. Niveli i ushqyeshmërisë së hithës varet shumë nga toka ku është rritë. Është bimë me shumë vlera pasi që përdoret edhe si çaj, për çështje të ndryshme shëndetësore, por edhe për luftimin e sëmundjeve të bimëve, si pleh dhe në prodhim të tekstilit.
Hithat janë më të shijshme kur janë shumë të njoma. Kur fillojnë të rriten duhet ti përdorim vetëm pjesën e lartë, pra pipat e njomë. Kur lulëzojnë nuk duhet të përdoren më për ushqim pasi që bëhen të dëmshme për veshket dhe fshikëzën.
Edhe në Kosovë dhe Shqipëri përdoret hitha, sidomos për lakror ngjashëm me spinaqin. Mua më pëlqen që ta përdori edhe si sallatë të përvëluar apo edhe në supë. Mundet gjithashtu të përdoret edhe me pasta, njejtë si spinaqi, apo në mbushje të raviolit. Këtu do të bëjmë një supë.
Përbërësit (për 6 persona)
- 500-600 gr hitha të njoma (vetëm pipat)
- 2 purri/presh (unë kam shtuar dhe pak qepë që e kam pasë të fërguar më parë, por nuk ka nevojë)
- 1 hudër e njomë (ose 2 thelpinj)
- 120 gr oriz
- 1.8 litra ujë
- 2 katrorka për supë nëse keni bio (opcionale)
- barishte që i preferoni si trumëz, majoran (çaj mali veriu) apo rigon
- 1/4 lugë kripë (vetëm nëse ka nevojë)
- 3-4 lugë vaj ulliri
- Për shije: pak limon ose pak uthull molle
- Për servim: lule që hahen si p.sh. të qepujkave apo bishtave të hudrës (chives) ose këpurdha të përzhitura apo pak kos
Përgaditja
- I pastroni hithat me 2-3 ujra, me kujdes që të mos regjeni. Mund të përdorni dorëza ose mashë. I leni të kullohen
- I pastroni dhe grimconi purritë/preshin dhe hudrën
- I bëni gati barishtet që do ti përdorni duke i ndarë gjethet
- E shpërlani mirë orizin dhe e leni pak të ulet në ujë. E kulloni dhe e leni gati
- Në një tenxhere e shtoni vajin dhe në temperaturë mesatarisht të lartë e fërgoni purrinin/preshin. Pas 2-3 minutash e shtoni edhe hudrën
- Pas 1 minuti i shtoni hithat dhe, kur fillojnë të zbuten pak, i shtoni ujin (mundësisht të nxehtë)
- I shtoni katrorkat e supës (nëse i përdorni) ose kripën dhe orizin
- E përzieni mirë dhe e shtoni temperaturën deri sa të merrë valë
- Ia shtoni barishtet
- E ulni pak temperaturën dhe e leni të zihet rreth 15 – 20 minuta
- E provoni nëse është zier orizi, nëse po, e largoni supën nga zjarri dhe e bluani me mikser vertikal deri sa të bëhet njëtrajtësisht kremoze
- E ktheni në zjarrë edhe 2 minuta, e provoni nëse ka nevojë të shtohet kripë dhe nëse ka nevojë ti shtoni pak limon apo pak uthull
Servimi
E servoni në pjatë dhe i shtoni lulet që hahen apo këpurdhat e fërguara ose kosin. Mund të shtoni pak piper të zi apo limon, sipas dëshirës.





Ju bëftë mirë!