Tash është koha e luleve të jorgovanit dhe, pasi që lulet e jorgovanit mund të hahen, unë e kisha me patjetër të provoj të gatuaj me këto lule. Nëse nuk keni lulet e juaja, prej kujtdo që i merrni, duhet të jenë nga ndonjë vend ku nuk ka pesticide dhe ndotje.
Përbërësit (për 9 copë)
- 1.5 gota miell (gota 250 ml)
- 1/4 lugë pluhur për fryerje të brumit
- 1/6 lugë sodë bikarboni
- 2 lugë sheqer
- kripë në maje të gishtit
- 1 qese sheqer vanile ose farat e një vanileje apo 1 lugë e vogël e esencës së vaniles
- 85 gr gjalpë/puter
- 1/2 gotë kos/jogurt
- 1/2 gotë vetëm lulet e jorgovanit
Përgaditja
- Së pari i bëni gati lulet. I shkundni mirë, mos i shpërlani. I ndani lulet e vogla duke u kujdesur që të mos mbetet pjesa e gjelbër dhe e mbushni gjysëm gote me lule
- E lëshoni furrën në 220°C. E bëni gati rrjetën e furrës duke ia qitë letrën për pjekje dyfish
- Në një enë ovale e qitni miellin, pluhurin fryrës, sodën bikarbone, kripën, sheqerin, vanilen (nëse është e thatë përndryshe e shton në fund) dhe puterin/gjalpin e ftohtë të prerë në copa të vogla
- Me duar e përzieni duke e shtypur puterin/gjalpën që të përzihet me miell mirë. E bëni këtë deri sa mielli të duket si miell misri
- I shtoni lulet e jorgovanit dhe i përzieni
- Tani i shtoni nga pak kosin/jogurtin dhe e përzieni me një lugë deri sa të bëhet masë e ngjitshme. Mos e shtoni komplet kosin nëse nuk ka nevojë
- Mos e përzieni shumë vetëm deri sa të bashkohet
- Hapni pak miell në sipërfaqe dhe me dorë shumë shpejtë i jepni formë të drejtkëndëshit (ose rrumbullakët, si të ju pëlqen). Mos e ngjeshni pasi ky brum nuk kërkon fare të ngjeshet
- E preni me thikë në trekëndësh apo katrorë ose rathë. Nëse e bëni në rrathë me gotë, ose formë tjetër, e bëni rrethin e gotës me miell, e shtypni në brumë dhe e tërhiqni lart, mos e sillni
- E qitni në letër për pjekje
- I pjekni afro 20 minuta, deri sa të skuqen
- I nxjerrni nga furra dhe i mbështjellni me një pecetë
Servimi
I servoni menjëherë me reçel, mazë të njomë ose puter/gjalpë apo me kremë limoni. Mund ti shoqëroni me çaj, kafe apo tamël/qumësht.









Ju bëftë mirë!