Prej recetës “Jufkali Sebze”, e kam nda mishin e gjoksit të pulës dhe e kam marinuar gjatë natës që të zbutet, pasi që është pulë e fshatit, që ta përdori në këri.

Si zbutës të mishit mund të përdorni xhenxhefilin, lëngun e kivit apo mango. Unë këtë herë kam përdorë pjesën e mbetur të mangos, rreth farës që zakonisht hudhet, dhe pak xhenxhefil e pak vaj ulliri.

Përbërësit (për afro 4 persona)

  • 1 gjoks i pulës, mishi i bardhë (nëse është i fermës nuk ka nevojë të marinohet, përndryshe e coptoni dhe marinoni së paku 2 orë me xhenxhefil të gërryer dhe pak lëng të kivit pa fara apo pak mango dhe pak vaj ulliri)
  • 1 qepë mesatare
  • 1 karrotë
  • 2 thelpinj hudër
  • pak xhenxhefil, nëse nuk e keni marinuar pulën, përndryshe nuk ka nevojë
  • 130 gr thjerrëza të verdha apo të kuqe
  • 230 gr spinaq i ngrirë ose 500 gr i freskët
  • 400 ml tamël/qumësht kokosi me yndyrë të plotë
  • 1.5 lugë këri pluhur
  • 1 lugë piper i kuq (spec i ëmbël)
  • pak piper i kuq i djegës (opcionale)
  • 1/6 lugë piper i zi
  • 3 lugë salcë të domates
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • oriz basmati i zier ose petë për servim

Përgaditja

  1. E copëtoni mishin e bardhë, nëse nuk e keni të marinuar. Nëse e keni të marinuar në frigorifer, e nxjerrni nga frigoriferi
  2. E coptoni qepën, hudrën dhe xhenxhefilin (nëse nuk e keni pasë në mishin e pulës)
  3. E pastroni karrotën dhe e preni në fletëza të holla me thikë mandolinë
  4. I shpërlani mirë lentet dhe i leni pak të ulen në ujë, afro 10 minuta. E kulloni mirë
  5. E pastroni spinaqin nëse nuk e keni të ngrirë dhe e kulloni. E coptoni trashë
  6. Në një enë të thellë, që ka kapakun e vet, në temperaturë mesatarisht të lartë, shtoni vajin dhe qepët
  7. I fërgoni deri sa të skuqen pak qepët. I shtoni karrotën dhe e fërgoni deri sa të zbutet pak karrota
  8. I shtoni hudrën dhe xhenxhefilin (nëse e përdorni) dhe e fërgoni shumë pak
  9. I shtoni të gjitha mëlmesat dhe i fërgoni pak të marrin aromë
  10. E shtoni mishin dhe e fërgoni deri sa i ndryshon ngjyra. E shtoni salcën e domateve dhe e përzieni mirë
  11. I shtoni thjerrëzat dhe tamlin/qumështin e kokosit dhe 1/2 gote ujë
  12. E përzieni mirë dhe e mbuloni me kapak. E leni të zihet në temperaturë mesatare, 15 minuta
  13. I shtoni spinaqin dhe kripën. E përzieni pak që të fundoset spinaqi dhe e mbuloni prapë me kapak, e zieni edhe për 15-20 minuta
  14. Nëse doni të trashet më shumë lëngu e leni edhe 15 minuta shtesë por keni kujdes që mos të ngjitet në fund

Servimi

E servoni menjëherë me pak oriz basmati, apo me peta, ose thjeshtë me bukë. Këri edhe të nesërmen është shumë i mirë. Mund ta mbani në frigorifer deri në dy ditë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment