Siç kam shkruar në recetat e mëparshme, në familjen tonë nuk hudhim as një pjesë të mishit, pasi që na duket e pakuptimtë të kemi rezistencë ndaj pjesëve tjera dhe si respekt ndaj sakrificës së një shtaze, ne i përdorim të gjitha pjesët. Kjo ndodhë poashtu edhe sepse ne blejmë ekskluzivisht mish të rritur lirshëm, pa hormone dhe jo të rritura në mënyrë intensive. Prandaj, na duket që është mëkat nëse i përbuzim edhe pjesët e brendshme, sidomos kur bëhen shumë të mira dhe janë delikatesë.
Mishi i gjuhës është mish i fortë që duhet të zihet ngadalë ose në presion. Pas kësaj bëhet mish i butë që mund ta përdorni si meze, në sendviça apo ta shërbeni për drekë me perime anash. Si bonus, do të përfitoni lëngun shumë të mirë që mund ta bëni supë apo ta përdorni për rizoto.
Përbërësit (për 4 persona)
- 1 gjuhë e mëzatit apo mështjerrës
- 1 kokë mesatare hudër e pastruar vetëm nga dheu
- barishte që i preferoni si gjethe dafine, trumëz, majoran (çaj mali veriu) apo rigon
- 1 lugë, apo katrorkë, koncentrat të supës, mundësisht bio (opcionale)
- 1/4 lugë kripë
- 1/6 lugë piper i zi
- 1.5 litra ujë
Përgaditja
- E pastroni gjuhën mirë me ujë dhe e gërryeni pak sipërfaqen me një thikë që të largoni ndonjë fije eventuale të barit
- I qitni të gjithë përbërësit së bashku me gjuhën në një tenxhere me presion
- E mbyllni kapakun dhe e leni të zihet në temperaturë të lartë
- Posa të fillojë të “fishkëllojë” e ulni në minimum temperaturën dhe e leni të zihet për 1 orë e 30 minuta
- E mbyllni temperaturën dhe e leni edhe 30 minuta deri sa i bie presioni vetvetiu
- E hapni tenxheren, e largoni gjuhën në një enë apo dërrasë dhe e leni të ftohet për 5 minuta
- Lëngun e mishit e kulloni dhe e ndani kur ju duhet që të bëni supë ose rizoto
- Tani me dorë, ose me ndihmën e thikës, ia largoni lëkurën, që pas zierjes ka fillu edhe vet të shkëputet
- E preni në copa të rrumbullakëta dhe e hapni në një pjatë ku do ta servoni
- E provoni nëse ka nevojë ende kripë dhe i shtoni edhe pak piper të zi
Servimi
E servoni me pak bukë të rreshkur nëse doni, perime të fërgura apo në zgarë, me ndonjë salcë që preferoni. Mund të bëni edhe sendviç për mëngjes apo darkë.





Ju bëftë mirë!