Kjo është recetë ekskluzive e disa familjeve nga Prizreni dhe është unike pasi që nuk e kam hasë dikund tjetër. Është e përafërt me recetën e Ulqinit që bëhen petët/jufkat me mishin e gjelit (knusit) për rast special, por kjo është pak më ndryshe pasi që bëhet edhe me oriz përpos jufkave. Brumi për jufkat bëhet me vezë dhe kos. Përbërja e kosit në petë i jep një shije shumë të këndshme dhe të parezistueshme.

Është e mirë se mund të hahet edhe të nesërmen dhe vetëm sa bëhet më e mirë. Receta origjinale nuk ka hudër në oriz por unë gjithë e shtoj pasi që më duket që e përmirëson shijen e orizit. Poashtu përdori vaj ulliri në vend të tlynit apo puterit/gjalpit.

Është recetë speciale që nuk bëhet shpesh pasi që kërkon kohë, por ia vlenë që ta bëni së paku dy herë në vit. Është plot me karbohidrate pasi që ka oriz dhe miell por edhe proteina nga mishi i pulës, megjithatë ia vlen ta qërasim veten ndonjëherë.

Kjo recetë i ka katër procese: 1. zierjen e pulës, 2. bërjen e petëve/jufkave dhe pjekjen, 3. zierjen e orizit, dhe 4. bashkimin në tri shtresa së bashku me mishin në fund.

Përbërësit (për 5-6 persona)

  • Për mishin dhe lëngun e mishit
    • 1 pulë e fshatit (unë ia kam nda mishin e bardhë për recetë tjetër)
    • 1 karrotë mesatare
    • 1 qepë mesatare
    • sherebele apo gjethe dafine apo çkado që preferoni (opcionale)
    • 1/2 lugë kripë
    • 2.8 litra ujë
  • Për petët/jufkat
    • 2 vezë të vogla (rreth 100 gr së bashku)
    • 2 lugë të plota kos pa cik
    • 180 gr miell (e rrisni sasinë nëse vezët i keni të mëdha)
    • pak kripë
  • Për orizin
    • Një gotë oriz (250 ml)
    • 1 qepë mesatare
    • 2 -3 thelpinj hudër
    • 2 -3 lugë vaj ulliri
    • 600 – 800 ml nga lëngu i mishit
    • kripë vetëm nëse ka nevojë
  • Për bashkimin e përbërësve
    • 3- 4 lugë vaj ulliri ose tlynë apo gjalp/puter i shkrirë

Përgaditja

  • E pastroni pulën, e coptoni (unë e kam nda mishin e bardhë për recetë tjetër) dhe i shtoni të gjithë përbërësit në tenxhere me presion. E mbyllni me kapak dhe e veni në zjarrë të lartë deri sa të fillojë të “fishkëllojë”. E ulni temperaturën në minimum dhe e leni të zihet afro 40 minuta nëse është pulë e fshatit ose 20 minuta nëse është pulë e fermës
  • Deri sa të zihet pula, filloni me bërjen e brumit. Në një enë, apo drejt në dërrasë të punës, i përzieni vezët me kosin, kripën dhe miellin dhe e bëni brumin bashkë. Nëse është i lagësht i shtoni pak miell deri sa të bëhet i përshtatshëm për ta ngjeshur, ngjajshëm si brumin e pites. E ngjeshni deri sa të bëhet elastike. E mbuloni dhe e leni të pushojë afro 15 minuta. (Në ndërkohë e ndërpreni temperaturën e mishit, nëse ka arritë kohën e duhur, dhe leni ti bie presioni)
  • Brumin e ndani në 8-11 kuleqë. Unë i kam bërë 11, pra më të vegjël që të pjeken më lehtë
  • I hapni secilin në mënyrë klasike me tëholluese, duke shtuar miell që të mos ngjiten. Mos u mërzitni shumë për formën. I bëni gati 2 ose 4 letra të furrës dyfish që ti përdorni për pjekje të petëve nëse doni ti pjekni në furrë
  • E lëshoni furrën në 230-240˚C. Në rrjetë të furrës (nëse i keni 2 edhe më mirë) e qitni letrën me petë dhe e futni në furrë. E pjekni 1-2 minuta vetëm deri sa të skuqen pak, pasi që piqen shumë shpejtë. I mbuloni me pecetë. Letrën mund ta përdorni disa herë. Pasi që ti kryeni të gjitha e mbyllni temperaturën e furrës
  • Tani filloni të bëni gati orizin. Së pari e kulloni lëngun nga mishi dhe e ndani mishin për më vonë
  • E shpërlani orizin me disa ujëra dhe e leni pak të ulet në ujë. E kulloni mirë. E grimconi qepën dhe hudrën. E shtoni vajin e ullirit në tenxhere pak më të gjërë dhe i fërgoni qepët. I shtoni hudrën dhe orizin. E fërgoni orizin deri sa të jetë mbështjellur mirë me vaj dhe i shtoni 600 ml lëng të pulës. Posa të vlojë e ulni temperaturën në minimun dhe e mbyllni me kapak. Kjo duhet të bëhet gati për 15 minuta
  • E hapni pas 15 minutash dhe provoni nëse ka mjaft kripë dhe nëse duhet ti shtohet edhe pak lëng të pulës. Orizi duhet të jetë pak i lagësht po jo i zier tepër, pra kokrrat e orizit duhet të jenë të plota deri sa të ketë edhe pak lëng të trashur
  • Tani mund ta bëni gati. E lëshoni furrën në 220˚C. E merrni një tepsi katrorë (vetëm për prerje më të lehtë, përndryshe lirisht mund të përdorni ndonjë formë tjetër). E shpërndani në fund të tepsisë gjysmën e orizit, njëtrajtshëm. Tani i shtoni një rend jufka. Lirisht i coptoni dhe i ndani deri sa të bëhet një shtresë. I ulni me lëngun e pulës dhe i shtoni pak vaj ulliri apo nga yndyra që përdorni. Vazhdoni kështu deri sa i kryeni të gjitha petët. Mos u frigoni nëse duket pak e lëngshme. Tani i shtoni gjysmën tjetër të orizit dhe në fund i shtoni copat e mishit.
  • E futni në furrë dhe e pjekni rreth 20-30 minuta ose deri sa vëreni që është shterur lëngu dhe ka fillu të thahet por mos e teproni që të mos thahet shumë
  • E nxjerrni nga furra dhe e leni të pushojë 5 minuta
  • Ju mund ta organizoni renditjen se si doni ti bëni etapat, p.sh. mund ta bëni orizin para se ti bëni jufkat, por duhet ta keni lëngun e supës para se të filloni me orizin

Servimi

E servoni menjëherë me sallatë anash. Nëse ju tepron, lirisht mund ta mbani në frigorifer dhe ta ngrohni të nesërmen në furrë. Shija është shumë e mirë edhe një ditë pas.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment