Ky lloj i bukës ka origjinë mesdhetare dhe përdoret në shumë vende semitike por edhe tek ne. Shpesh e shohim në restorante pasi që është bukë që piqet shpejtë, por procesi i ardhjes së brumit është i ngjajshëm me bukën.

Janë të mira që ti servoni me mbushje vegjetariane ose mishra, ngjajshëm me petët.

Përbërësit (për afro 6 persona)

  • 3 gota miell (afro 360 gr ), unë kam përdorë miell Khorasan por bën miell i bukës
  • 1 lugë maja buke (rreth 5 gr)
  • 1/2 lugë sheqer
  • 1/2 lugë kripë
  • 160 ml ujë (në temperaturë dhome)
  • 130 ml tamël/qumësht dhie apo çfarë preferoni (në temperaturë dhome)
  • 1 lugë vaj ulliri

Përgaditja

  1. I përzieni miellin, majanë dhe sheqerin në një enë apo drejt në tavolinë të punës. Përzieni ujin, tamlin/qumështin, kripën dhe vajin në një gotë dhe dalëngadalë ia shtoni miellit deri sa të fillojë të bëhet bashkë
  2. Nëse është brumi i thatë, i shtoni edhe nga pak ujë por duke u kujdesur që të mos bëhet shumë i lagësht
  3. Nëse është i lagësht, i shtoni nga pak miell deri sa fitoni masën e përshtatshme të brumit
  4. E ngjeshni afro 5 minuta me dorë ose në mikser
  5. E lyeni enën me shumë pak vaj, ku do ta mbani brumin, e vendosni brumin dhe e mbuloni me një najllon puthitës ose leckë të lagësht
  6. E futni në një vend të ngrohtë, ku nuk ka rrymim ajri. Unë zakonisht e mbaj në furrë. Pritni 1-2 orë, ose deri sa të dyfishohet brumi
  7. E merrni brumin dhe e ngjeshni pak në tavolinë të punës me pak miell. E preni në 6 apo 8 copë. Nëse i doni më të vogla mund ti bëni 10. Unë i kam bërë këtë herë më të vogla
  8. I bëni kuleq dhe i leni të pushojnë edhe 15-30 minuta
  9. Tani i hapni një nga një me tëholluese dhe i mbuloni me një pecetë kuzhine që të mos thahen
  10. E ngrohni mirë një fërtere, me fund më të trashë që e mbanë nxehtësinë, dhe filloni ti piqni pita bukët një nga një. E mbani secilën anë nga 2-3 minuta. Mos e mbani më gjatë se bëhen të forta. Prandaj ju duhet temperaturë e lartë
  11. Pasi që i bëni dy të parat ulni temperaturën vetëm për 1 dhe vazhdoni ti pjekni tjerat
  12. I mbuloni kur të jenë pjekur që të mos thahen

Servimi

I servoni menjëherë me mish apo perime në zgarë dhe me humus apo tarator të trashë (xaxiq). Nëse ju tepron ndonjë, i mbani të mbështjellura ose mbuluara me ndonjë kapak që të ruajnë freskinë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment