Tash në Kosovë është koha e shpargut dhe janë super të shijshëm. Shpargu është detoksifikues, balanson sheqerin, ndihmon në koagulim të gjakut dhe është i pasur në antioksidantë.
Kjo supë është plot edhe me perime tjera si purri, karrotë, qepë dhe hudër.
Përbërësit (për afro 6 persona)
- 1 qepë
- 2 thelpinj hudër
- 1 karrotë e madhe (rreth 150 gr)
- 1 purri (rreth 220 gr)
- 1 tubë shparg (rreth 220 gr)
- pak trumzë, vetëm gjethet ose ndonjë barishte tjetër që preferoni
- 1.5 l ujë për supë
- 1 lugë apo 1 katrorë i supës vetëm nëse është bio (opcionale)
- 1/4 lugë kripë (sipas shijes)
- 3 lugë vaj ulliri
- limon dhe piper i zi për servim
Përgaditja
- I pastroni perimet. E coptoni qepën, purrinin dhe hudrën. Karrotën e preni në copëza të holla me thikë mandolinë që të zihet më lehtë.
- Shpargujve ia largoni pjesën e fortë në fund dhe ia preni kokat, i mbani për fund. I preni në copa të vogla
- Në një tenxhere të thellë e shtoni vajin dhe i qitni të gjitha perimet, përpos shpargujve, dhe i fërgoni për afro 5-6 minuta
- Ia shtoni katrorin e supës. E vloni ujin dhe ia shtoni supës
- Ia shtoni edhe shpargujt e copëtuar dhe trumzën. E leni të zihet për 5-6 minuta. E provoni pak dhe i shtoni kripën nëse ka nevojë
- Tani e largoni nga zjarri dhe e bluani me mikser vertikal
- E ktheni në zjarrë dhe ia shtoni kokat e shpargut. E zieni edhe 3-4 minuta
- Mbylleni zjarrin, supa është gati
Servimi
E servoni menjëherë, në pjata të supës, me pak limon të shtrydhur dhe pak piper të zi ose magdanoz të grimcuar.









Ju bëftë mirë!