Mishi i mëzatit, poashtu edhe të brendshmet, janë më të forta prandaj duhet të marinohen nëse duam ti zbusim. Për mua, marinimi në salcë soje dhe xhenxhefil, është më e mira, që jep gjithnjë rezultate pra, mishi zbutet dhe njëkohësisht merr aromë fantastike me kripën e duhur, por pa tepri.
Përpos të brendshmeve, mund të marinoni edhe perime që i preferoni që ti pjekni poashtu në zgarë. Marinimin mund ta bëni të njejtë nëse përdorni këpurdha. Për kungulleshka apo patëllxhanë ose shparguj, mund ta bëni me vaj, kripë dhe rigon.
Përbërësit (për 4 persona)
- Për të brendshmet
- rreth 600 – 700 gr të brendshme (mëlqi dhe/ose veshke) të mëzatit apo viçit
- 2 lugë uthull për shpërlarje të veshkeve
- 1 lugë xhenxhefil i gërryer
- 8 – 10 lugë salcë soje e lehtë
- 5-6 lugë vaj ulliri
- 1 qepë mesatare (opcionale)
- Për perimet
- 2 kungulleshka ose 1 tubë shparguj të freskët apo të dyjat
- 2 – 3 lugë vaj ulliri
- Kripë sipas preferencës
- 1/4 lugë rigon
Përgaditja
- I pastroni veshket mirë nga cipa dhe nga pjesët dhjamore. I coptoni në madhësi që të jenë të përshtashme për pjekje në zgarë pra mos të jenë të imta. I futni në ujë me uthull deri sa ti mbulon uji. I leni të rrinë për së paku 30 minuta pastaj i kulloni dhe i shpërlani mirë. I leni të kullohen, i ndrydhni nga pak me dorë që të largoni sa më shumë lagështinë
- E pastroni mëlqinë nga cipa e jashtme dhe i largoni pjesët e forta, të enëve të gjakut. E preni në copa të trasha gati 1 cm
- I qitni së bashku në një enë të thellë që mund të mbyllet me kapak. I shtoni xhenxhefilin, salcën e sojës dhe vajin e ullirit. E mbyllni me kapak dhe, nëse doni, i futni në frigorifer nëse e keni ngrohtë në dhomë. Herë pas here i përzieni që të mbështillen mirë në marinadë. Nëse janë të brendshme të viçit, 15 minuta marinim i mjafton, përndryshe e leni 30 minuta
- Nëse doni mund ta pastroni një qepë, e preni në mes që të ruan formën dhe e vendosni së bashku me të brendshmet
- Në ndërkohë i pastroni kungujt, ose shpargujt, mos i qëroni. Kungujve i preni fillimin dhe fundin dhe i coptoni tërthorazi që të jenë të gjata dhe jo shumë të holla që të mos digjen në zgarë. I qitni në një enë ku mund ti përzieni me marinim dhe i shtoni vajin e ullirit, kripën dhe origanon. I përzieni mirë
- Nëse përdorni shpargujt, vetëm i largoni fundin e fortë, mos i coptoni, i marinoni
- E ndizni zgarën dhe e bëni gati deri sa të arrinë temperaturën optimale. E lyeni grilën me yndyrë, nëse keni dhjam është më së miri. Filloni së pari ti pjekni veshket dhe qepën. Posa ti rrotulloni herën e parë veshket i shtoni edhe mëlqitë. Mos i mbani mëlqitë më shumë se 4 minuta në një anë deri sa veshket i mbani rreth 8 minuta në një anë. I pjekni deri sa kur të preni një copë e vëreni që mesi është i pjekur. Mos e mbani mëlqinë gjatë se mund të thahet dhe t’i humbë shija
- I largoni një nga një, së bashku me qepën, dhe i qitni në një enë ku do ti servoni. I mbuloni me një kapak që të pushojnë deri sa i pjekni kungujt
- I renditni kungujt, ose shpargujt, duke i rrotulluar menjëherë posa që të skuqen pak. Kur skuqen në të dy anët, i largoni në një enë në të cilën do ti servoni
- Nëse keni bukë bajate, tani në fund mund ti rreshkni pak në zgarë dhe pastaj i shtoni mbi mish dhe i mbuloni
Servimi
I servoni menjëherë me ndonjë pije që preferoni, birrë të ftohtë apo ndonjë verë të kuqe.








Ju bëftë mirë!