Sa herë që ju teprojnë palpetë, prej një nate më parë, mund ti përdorni për supë në vend të fideve. Nëse e keni rastësisht edhe lëngun e pulës/gjelit të gatshëm prej ndonjë dite më parë, atëherë kjo supë bëhet shumë shpejtë bile edhe mund ta shërbeni si një shujtë të plotë nëse keni copa të mishit në lëngun e pulës. Është recetë Gjermane dhe për mua është si një verzion i Ramenit që i përshatet më shumë shijes sonë.

Përbërësit (për afro 4 persona)

  • 1.5 l lëng të supës së eshtrave të pulës/gjelit, mundësisht të fshatit (eshtrat, krahët dhe qafa e pulës, me 1 qepë, 1 karrotë dhe gjethe dafine apo sherebele, ujë dhe pak kripë, të zihet 30 minuta në presion ose 2 orë ngadalë. Pastaj e kulloni, i hudhni perimet dhe e coptoni mishin për supë)
  • 2 palpeta (krepa ose pallaqinka)
  • 90 gr sytha të mbiera të fasules (mung bean sprouts) nga një gavanoz 200 ml ose afro 100 gr kastravec/trangull të freskët
  • 1 lugë salcë soje nëse ka nevojë për më shumë kripë
  • Pak bishta të njomë të qepës, apo çkado që preferoni për servim

Përgaditja

  1. E qitni lëngun e kulluar të supës në një tenxhere ku do ta vloni. E qitni në temperaturë mesatarisht të lartë që të fillon të ngrohet
  2. I zbrazni sythat nga gavanozi në kulluese. I shpërlani mirë dhe i kulloni. Ose, nëse nuk keni sytha të fasules, e pastroni një kastravec dhe e preni mes përmes, ia largoni farat e pastaj e preni hollë hollë në shkopinj të vegjël
  3. E coptoni mishin, nëse keni, nga qafa, krahët dhe shpina pulës/gjelit
  4. I preni sa më hollë palpetët dhe i qitni në një pjatë
  5. I preni bishtat e qepëve dhe i qitni në një enë të vogël
  6. Ia shtoni sythat, apo trangullin/kastravecin, dhe mishin lëngut të supës, dhe pritni deri sa të marrë valë. E ndërpreni temperaturën menjëherë. Provoni nëse ka nevojë për kripë dhe i shtoni salcën e sojës
  7. Supa është gati dhe mund ta servoni

Servimi

E servoni menjëherë duke e vënë në pjatë së pari palpetën e prerë dhe pastaj ia shtoni supën. E zbukuroni me pak qepë apo magdanoz.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment