Trileqe është ëmbëlsirë e dashur në Shqipëri, por edhe në Kosovë në vitet e pasluftës. Unë këtë ëmbëlsirë e kam mësuar shumë kohë para luftës dhe preferoj këtë recetë më shumë. Bëhet vetëm me një tamël/qumësht dhe për ata që kanë jotolerancë ndaj laktozës mund ta zëvendësojnë me tamël/qumësht bajamesh apo orizi ose edhe kokosi. Poashtu në vend të karameles përdoret çokollatë.
Është në realitet verzion i revanisë që në Kosovë bëhet me sherbet. Pra, brumi është i njejtë, por se ka verzione që përdorin grizë/semolina në vend të miellit. Unë kam përdorë miell Khorasan, i njohur me emrin tregtar si Kamut. Mund të përdoret miell tjetër por duhet të jetë miell i fortë në mënyrë që brumi ta mbajë ajrin brenda dhe të jetë i lehtë.
Përbërësit (për 8 – 10 persona)
- Për pandispanjën (brumin):
- 4 vezë të ndara e bardha nga e verdha
- 4 lugë sheqer
- kripë në maje të gishtit
- 4 lugë të plota miell Kamut apo tip 400 ose 1 lugë miell dhe 3 lugë grizë/semolina
- 1 qese sheqer vanile ose farat e një vanileje ose 1 lugë e vogël e esencës së vaniles
- Për “sherbetin”:
- 550 ml tamël/qumësht të ftohët
- 2.5 lugë sheqer
- Për çokollatën:
- 70 gr çokollatë e zezë
- 1/2 lugë sheqer
- 1/2 gotë tamël/qumësht
- 1 lugë puter/gjalpë
- aromë vanileje (opcionale)
Përgaditja
- E lëshoni furrën në 180°C. E bëni gati një tepsi të vogël duke e lyer me puter/gjalpë ose vaj dhe pak miell
- Në një enë të thellë i qitni të kuqet e vezës dhe ia shtoni sheqerin me sheqer vanile apo esencë, ose farat e vaniles. I tundni mirë, deri sa vëreni që ka filluar të shkrihet sheqeri dhe e kuqja e vezës të ketë ndryshuar ngjyrën. Ia shtoni miellin dhe e përzieni
- Tani, të bardhës së vezës i shtoni kripën në majë të gishtit dhe i tundni deri sa fitoni shkumë të fortë
- Ia shtoni 2 lugë të të bardhës brumit me të verdhën dhe e përzieni ngadalë. Tani i shtoni edhe pjesën tjetër dhe e përzieni ngadalë, me një lugë apo shpatull, duke mos e rrahur sepse mund të shfryhet
- E qitni në tepsi dhe e rrafshoni. E futni në furrë dhe e pjekni për 30 minuta, deri sa të skuqet
- E nxjerrni nga furra. Tani e përzieni tamlin/qumështin e ftohtë me sheqer dhe ia shtoni menjëherë
- Deri sa të absorbon tamlin/qumështin, e përgatisni çokollatën
- Në një tenxhere të vogël e coptoni çokollatën dhe i shtoni sheqerin tamlin/qumështin dhe puterin/gjalpin
- E përzieni vazhdimisht, në temperaturë mesatarisht të lartë, deri sa të shkrihet. Nëse ju duket shumë e trashë mund ti shtoni tamël/qumësht
- Ia shtoni menjëherë ëmbëlsirës duke e shpërndarë njëtrajtësisht. E leni ëmbëlsirën të ftohet në temperaturë të dhomës dhe pastaj e futni në frigorifer dhe e leni së paku 2 orë
Servimi
E servoni, kur të jetë ftohur mirë, pas ndonjë dreke të fortë që të ju freskojë apo kurdo që preferoni.














Ju bëftë mirë!