Pasi që në familjen tonë përdorim vetëm mish nga shtazët që janë rritur lirshëm, më duhet të gjej mënyra se si të zbus mishin. Pasi që fërgesat e stilit Tai bëhen shpejtë nevojitet mish i butë ose fruta deti që bëhen shpejtë. Mishi i pulës apo gjelit të fshatit është shumë i fortë, sidomos i gjelit, prandaj nevojitet që të marinohet me lëng të kivit që të arrijmë zbutjen. Ju, nëse përdorni mish të pulës së fermës, nuk keni nevojë të përdorni kivi për marinim pasi që në recetë përdoret xhenxhefili i cili poashtu e zbutë mishin, porse kivi vepron më shumë në mishërat tejet të fortë. Duhet të kemi kujdes që marinimi mos të kalojë kohën e paraparë sepse mund ta bën mishin qull.
Përbërësit (për afro 4 persona)
- 350 gr mish i pulës apo gjel fshati (nga gjoksi dhe kofshët ose vetëm gjoks)
- 1 lugë xhenxhefil i gërryer
- 6 – 8 lugë salcë soje e lehtë
- lëngu i një kivi i kulluar nga farat
- 4 – 5 lugë vaj ulliri
- 300 gr edamame, sojë e gjelbër e ngrirë, e shkrirë në temperaturë të dhomës
- 1 karrotë e madhe
- 1 qepë mesatare
- 1 specë e kuqe
- pak specë e djegës (opcionale)
- 1 hudër e njomë
- 3 lugë fara susami për fund (opcionale)
- 3 – 4 lugë vaj ulliri për fërgim
- oriz basmati i zier për servim (opcionale)
Përgaditja
- E copëtoni mishin në copa të vogla. Në një enë, që mund të mbyllet me kapak, i përzieni salcën e sojës, xhenxhefilin, lëngun e kivit dhe vajin. I shtoni mishin e coptuar dhe e përzieni mirë. Nëse përdorni pulë të fermës nuk keni nevojë për kivi dhe qitni më pak vaj
- E leni të marinohet për 1 – 1.5 orë në frigorifer
- Në ndërkohë i coptoni të gjithë përbërësit dhe i zieni edamamet (sojën) në ujë me kripë për 4 minuta. I kulloni dhe i leni për më vonë
- I pjekni pak fara e susamit nëse do ti përdorni, i leni anash për më vonë
- E nxjerrni mishin nga frigoriferi
- Në fërtere më të thellë, ose wok, qitni vajin dhe në temperaturë të lartë fërgoni së pari karrotat për afro 2 minuta. I shtoni qepët dhe i fërgoni 1 minutë. Tani i shtoni hudrën, specin e djegës, specin e ëmbël dhe i fërgoni afro 1 minutë. I shtoni edamamet dhe i fërgoni shumë pak. I largoni nga fërterja në një pjatë të thellë
- Tani e shtoni në fërtere mishin dhe në zjarrë të lartë e fërgoni deri sa të vëreni që është pjekur, rreth 3 minuta
- Tani ia shtoni perimet dhe i fërgoni së bashku vetëm pak dhe e mbyllni temperaturën
Servimi
E servoni menjëherë në pjata me pak oriz, nëse preferoni, dhe i shtoni pak fara susami.











Ju bëftë mirë!