Kjo është recetë Gjenoveze dhe qartazi emërtimi ka ndikim turk, e që në përkthim është “faculeta mëndafshi”. Tradicionalisht bëhet me pesto por, pasi që nuk kisha borzilok, unë vendosa ti bëj me këpurdha që i kisha qe një kohë të gjatë në frigorifer. Mund ta bëni me aparatin për pasta por shumë lehtë hapet edhe me tëholluese. Për ti prerë ju duhet vetëm një thikë pra, nuk kërkojnë ndonjë shkathësi të caktuar e as mjete të caktuara.

Përbërësit (për afro 3 – 4 persona)

  • Për mindilat
    • 260 gr miell 00 (tip 400 – 550)
    • 3 vezë mesatare (nëse janë të mëdha shtoni edhe 30-40 gr miell)
    • pak kripë
    • pak miell për ngjeshje dhe hapje të brumit
  • Për salcën
    • 3 këpurdha të mëdha portobello ose 8 -10 të vogla të bardha
    • 2 hudra të njoma ose 2 thelpinj
    • pak barishte mëlmesa që i keni apo preferoni (5-6 luleradhiqe, trumzë, rigon, etj)
    • 150 gr djathë i butë jo solid ose djathë i bardhë i dhisë apo deles por që nuk ka kripë ose shumë pak
    • 4-5 lugë vaj ulliri
    • 2-3 lugë puter/gjalpë
    • pak piper i zi

Përgaditja

  1. Në një enë ovale përzieni miellin me kripë dhe vezë deri sa të bëhet brumi bashkë. Nëse ju duket shumë i thatë mund ti shtoni 1 lugë tamël/qumësht ose nëse është shumë i butë i shtoni 1 lugë miell. Brumi duhet të jetë pak i lagshtë por jo të ngjitet së tepërmi
  2. E qitni në dërrasë dhe filloni ta ngjeshni afro 5 minuta, duke shtuar shumë pak miell në sipërfaqe, deri sa vëreni se është bërë elastik dhe kur e shtypni me një gisht brumi të kthehet prapa
  3. Tani e ndani në dy pjesë të barabarta dhe e mbështillni me najllon puthitës. E futni në frigorifer për minimum 30 minuta
  4. Në ndërkohë i grimconi këpurdhat, hudrat dhe barishtet që do ti përdorni. E grimconi edhe djathin nëse e keni copë.
  5. Në një enë të madhe të hapur shtoni vajin e ullirit dhe posa të ngrohet pak i shtoni hudrën. E përzhitni pak dhe i shtoni menjëherë këpurdhat. I përzhitni për 3-4 minuta dhe i shtoni të gjithë përbërësit tjerë. I shtoni piperin e zi, mos i shtoni kripë
  6. E bëni gati një tenxhere të madhe duke e mbushur me ujë (rreth 3 litra ujë) dhe e vloni. Posa të marrë valë i shtoni 1 lugë kripë (nëse e keni djathin që do ta përdorni të njelmët, ulni sasinë e kripës) dhe e mbyllni temperaturën, e mbuloni me kapak që ta ruajë temperaturën
  7. E nxjerrni brumin nga frigoriferi. E hapni njërin kulaq dhe filloni ta hapni me holluese (ose me aparat nëse e keni). Tentoni të përdorni sa më pak miell dhe kur të jetë mjaft e hollë, por pak më e trashë se petët e pites, i preni me thikë në katrorë
  8. Tani e hapni edhe petën tjetër dhe veproni njejtë
  9. Tani e vloni ujin dhe i shtoni grumbullin e parë të mindilave rreth 8-10 copë që të mos ngjiten njëra me tjetrën
  10. E lëshoni edhe temperaturën (mesatare) e enës ku e keni salcën. Posa të dalin mindilat në sipërfaqe të ujit i shtoni në enë me këpurdha. Dhe kështu bëni deri sa ti kryeni të gjitha pastat.
  11. Tani i shtoni pastave djathin dhe puterin/gjalpin dhe rreth 1 gotë të lëngut të pastave
  12. I rrotulloni nga pak me kujdes dhe ia shtoni edhe 1/2 gotë lëng të pastave. Mbylleni temperaturën dhe i shërbeni menjëherë

Servimi

E servoni me mjaft parmezan të freskët.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment