Buka e misrit apo buka e kollomojt, në Kosovë bëhet vetëm me ujë dhe miell. Nuk ka kripë dhe as ndonjë lloj yndyre. Kur i shiqon nanat se si e bëjnë mendojmë që ne nuk do të jemi në gjendje ta gatuajmë sepse kërkohet mjeshtëri që të gatuhet deri sa mielli është ende i nxehtë që të formësohet mirë të mos qahet. Unë nuk i jap rëndësi kësaj, me rëndësi është ta bëj bashkë brumin dhe ti jap përafërsisht formën. Nëse çahet gjatë pjekjes, nuk ka problem, me rëndësi është shija. Nuk kam ndonjë talent dhe kjo është vetëm hera e dytë që e gatuaj por shija është fantastike.
Përbërësit (për afro 6 – 8 persona)
- 700 gr miell misri (kollomoqi) të bardhë
- 700 – 750 ml ujë të vluar (varet nga mielli)
Përgaditja
- E lëshoni furrën në 240°C. E bëni gati rrjetën e furrës duke ia qitë letrën për pjekje dyfish
- E sitni miellin në një enë
- E vloni ujin dhe, duke e përzier miellin me një lugë të drurit, filloni ti shtoni ujin gradualisht deri sa vëreni që është lagë mielli mjaftueshëm që të bashkohet por jo të jetë tepër i lagshtë. Mos e shtoni tërë ujin nëse ju duket se nuk ka nevojë. E merrni pak nga brumi dhe e shtrëngoni me grusht, nëse bëhet bashkë lehtë, nuk ka nevojë ti shtoni më ujë
- Tani e qitni brumin në dërrasë ku do ta formësoni dhe me duar filloni ta bëni bashkë deri sa e mbledhni në një top
- Tani, me kujdes, filloni me lëvizje rrethore dalngadalë ta shtypni gradualisht, duke i lagë duart herë pas here me ujë dhe herë pas herë e lëmoni me nga pak miell deri sa të jeni të kënaqur me formën. Nuk ka problem nëse ka të qara të vogla, mund ti lagni nga pak dhe ti bëni lehtësisht presion që të ngjiten
- Tani, me ndihmën e ndonjë shpatulle të madhe apo lopatë për bukë, e kaloni me kujdes në rrjetën me letër ku do ta pjekni
- E futni në furrë dhe e pjekni për 35-40 minuta
- Pasi që të piqet e nxjerrni nga furra dhe e mbështjellni me një pecetë kuzhine dhe e leni të pushoj afro 15 minuta
Servimi
E servoni me produkte të tamlit/qumështit si djathë, ngjymë (dip) dhe ndonjë sallatë apo turshi. Nëse ju tepron mund ta mbani në frigorifer, herën tjetër mund ta preni mes-për-mes dhe ta skuqni në toster. Mua më pëlqen që ta uli në lëng djathi apo turshie pasi që i jep shumë shije.








Ju bëftë mirë!