Për këtë ëmbëlsirë mund të përdorni edhe gjizë të ëmbël në vend të kosit. Unë këtë herë e kam kombinuar. Nëse përdorni gjizë (rikota) nevojitet pak më shumë 375 gr, derisa kos pa cik mund të përdorni 300 gr.
Mund ta bëni me mjedra të ngrira por edhe me cilindo frut tjetër që është pak i thartë.
Përbërësit (për afro 8 – 10 copë)
- 125 gr puter/gjalpë
- 100 gr sheqer (mund të shtoni plus 50 gr më shumë nëse e doni më të ëmbël)
- 2 vezë
- 1 qese sheqer vanile apo 1/2 lugë esencë vanileje apo 1/4 vanile e bluar
- 375 gr rikota dhe 1/2 gotë tamël/qumësht ose vetëm 300 gr kos pa cik ose 320 gr të kombinuara kos me rikota
- 120 gr miell
- 75 gr bajame të bluara (miell bajamesh)
- 1/2 pako pluhur për brumra (pluhur fryrës)
- rreth 180 gr mjedra të ngrira apo ndonjë frut tjetër që keni apo preferoni
- sheqer pluhur për zbukurim (sipas dëshirës)
Përgaditja
- E lëshoni furrën në 180°C. E bëni gati tepsinë me rreth 20 cm diametër, duke e lyer me puter/gjalp apo vaj
- E zbutni puterin/gjalpën pak në temperaturë të ultë por jo të shkrihet dhe ia shtoni sheqerin. I rrahni mirë së bashku
- I shtoni një nga një vezët ndarazi duke i përzier mirë deri sa të bëhen njëtrajtshëm
- I shtoni vanilen (nëse është me sheqer apo esencë) dhe rikotën me tamël apo kosin (ose të kombinuara) dhe e përzieni deri sa të njëtrajtësohen
- Në një enë tjetër e përzieni miellin, pluhurin për brumra, bajamet dhe vanilen (nëse është e bluar). I përzieni mirë dhe ia shtoni masën e lagësht duke e përzier me shpatull, mos e tundni
- E qitni në tepsi dhe e shpërndani mirë. Ia shtoni frutat përmbi, kujdesuni që të mos ngjiten njëra me tjetrën pra të jenë të ndara. Nëse doni mundeni edhe ti përzieni me brum para se ta qitni brumin në tepsi
- E futni në furrë të piqet për 1 orë apo deri sa të ju duket që skaji është larguar nga tepsia. Gjatë pjekjes brumi fryhet dhe disa nga frutat mund të bien në fund
- E leni të pushojë 15 minuta
Servimi
Mund ta servoni menjëherë sa është e ngrohtë, me pak sheqer pluhur ose nëse preferoni edhe me akullore.









Ju bëftë mirë!