Këto janë biskota të shpejta pasi që nuk ka nevojë që brumi të pushojë në frigorifer. Poashtu edhe pjekja është vetëm 12 minuta. Në tërësi, gatimi dhe pjekja, nuk zgjatë më shumë se 35 minuta, nëse i keni arrat gati të qëruara.

Janë shumë të mira për çaj ose kafe por edhe për ata që e duan tamlin/qumështin.

Përbërësit (për afro 20 copë, mund të dyfishoni masën)

  • 110 gr puter/gjalpë
  • 3 lugë sheqer
  • 1/2 qese sheqer vanile apo 1 lugë e vogël ekstrakt vanileje
  • 140 gr miell
  • 65 gr arra
  • sheqer pluhur për zbukurim (sipas dëshirës)

Përgaditja

  1. E lëshoni furrën në 180 °C. E bëni gati tepsinë ku do ti pjekni duke e mbuluar me letër të pjekjes, nuk ka nevojë të lyhet
  2. I qitni të gjithë përbërësit në mikser me thikë dhe i bluani pak deri sa vëreni se puteri/gjalpi është shpërndarë në miell
  3. E qitni në një enë të thellë ose në dërrasë dhe filloni ta mbledhni me duar deri sa të bëhet bashkë. Nëse është shumë e thatë mund ti shtoni një lugë ujë ose tamël/qumësht. Mos e ngjeshni, vetëm deri sa ta bëni bashkë dhe të jetë e përshtatshme për formësim
  4. E ndani nga një copë me duar, i bëni rrumbullakë dhe i renditni në tepsi
  5. I futni në furrë dhe i leni të piqen rreth 12 minuta
  6. I nxjerrni nga furra dhe i leni të ftohen pak. Nëse doni, mund ti zhytni në sheqer pluhur ose vetëm të ju hidhni pak (mua nuk më pëlqen shumë sheqeri prandaj iu kam hudhur shumë pak)

Servimi

Mund ti servoni menjëherë me çaj, kafe apo me një gotë tamël/qumësht. Ato që ju teprojnë, i mbani në një enë që mbyllet por vetëm pasi që të jenë ftohur plotësisht që të mos avullohet ena dhe të mos zbuten biskotat.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment