Për paelën gjeni spjegim të gjatë në këtë recetë, Paela me mish lepuri të fermës, por unë megjithatë po jap disa shpjegime shkurt.

Për paela duhet të përdorim oriz të rrumbullakët dhe të plotë, lëngun e mishit të pulës, mishin e pulës dhe shafran si mëlmesën e veçantë. Në disa verzione mund të shifni që përdoret suxhuk (salçiçe) pikant me shumë mëlmesa për shije, edhe mua më pëlqen ta përdori. Në disa verzione përdoret specë e kuqe e pjekur dhe e qëruar, unë zakonisht përdori domate ose salcë domatesh. Poashtu, si rregull, përdoret edhe ndonjë lloj fasuleje. Unë përdori shpesh edhe çiçra apo bizele, varësisht çka kam. Ka verzione ku shtohet edhe fruta deti, unë shpesh e bëj këtë por vetëm kur kam më shumë persona për drekë.

Përbërësit (për 4 – 5 persona)

  • 900 gr pulë fshati (zog fushe)
  • 1,5 l ujë, pak sherebele ose gjethe dafine dhe 1/2 lugë kripë, qepë dhe karotë (kjo është për lëngun e supës)
  • 300 gr oriz
  • 220 – 300 gr qiqra të ziera ose fasule (nëse janë në gavanoz i kulloni dhe i shpërlani mirë)
  • 50 gr suxhuk Kosove (i Pejës është me shumë mëlmesa) ose chorizo
  • 1 qepë mesatare
  • 2 thelpinj hudër
  • 2 lugë salcë domate
  • 10-15 fije shafran (nga Kosova apo Shqipëria)
  • 3-4 lugë vaj ulliri
  • pak kripë nëse ka nevojë

Përgaditja

  1. E shpërlani pulën mirë, e copëtoni nëse preferoni, dhe e futni në tenxhere me presion (për zierje të shpejtë). Ia shtoni perimet, kripën dhe sherebelen ose dafinën (mos harroni: i pastroni duart mirë dhe çdo sipërfaqe ku keni prekë me pulë)
  2. E mbyllni enën mirë dhe e leni në zjarrë të lartë deri sa të merr valë. Posa të merr valë, e ulni temperaturën në minimum dhe filloni të matni kohën. Nëse është pulë e vjetër e zieni së paku 25 minuta. E mbyllni zjarrin dhe e leni që të bie presioni. Në ndërkohë filloni pregatitjet
  3. E shpërlani orizin me disa ujëra dhe e leni për afro 10 minuta në ujë. E kulloni mirë
  4. E kulloni dhe shpërlani mirë çiçrat apo fasulet nëse i keni në gavanoz apo kanaqe. I leni të kullohen
  5. E pastroni qepën dhe e grimconi. E pastroni hudrën dhe e grimconi
  6. E qëroni suxhukun (salçiçen) dhe e preni në copa
  7. E bëni gati salcën e domateve
  8. E hapni mishin dhe e ndani pulën nga lëngu. E kulloni lëngun dhe e leni gati
  9. Shafranin e qitni në një enë të vogël, e shtypni pak me gishta që të coptohet, dhe ia shtoni pak nga lëngu i pulës që të fillojë të lëshojë aromën
  10. Tani filloni me pregatitjen e paelës. E qitni vajin në një enë (tepsi) ku do të bëni paelën dhe e vini në zjarrë mesatar. I shtoni suxhukun dhe e pjekni deri sa të lëshojë yndyrën dhe shijet. E largoni suxhukun në një enë dhe e mbani anash për më vonë por duke u kujdesur që të leni sa më shumë nga shija e suxhukut në tepsi
  11. Tani shtoni qepën dhe e ngritni zjarrin duke i përzier deri sa të skuqen pak. I shtoni hudrën dhe menjëherë orizin. E fërgoni pak deri sa të fillojë të bëhet si i tejdukshëm dhe i shtoni salcën e domates. E fërgoni për pak sekonda
  12. Filloni ti shtoni lëngun gradualisht. Lëngun e pulës mbajeni të ngrohtë
  13. E bëni këtë disa herë, pra duke i shtuar lëngun dhe duke e përzier në zjarrë të lartë, që të thithë sa më shumë nga lëngu i pulës. Kur e vëreni që orizi ka filluar të zbutet, por jo tërësisht, i shtoni qiqrat apo fasulet dhe ia shtoni edhe shafranin me gjithë lëngun ku është zbutur. I përzieni mirë dhe i leni që të shteret ende
  14. E lëshoni furrën që të nxehet në 210°C
  15. E coptoni pulën dhe ia shtoni orizit. Mund ta shtoni edhe suxhukun nëse doni. Ia shtoni vetëm edhe pak lëng pule, nëse ju duket që orizi duhet edhe pak të zbutet, dhe e futni në furrë deri sa të skuqet pak (10-15 minuta)
  16. E nxjerrni nga furra dhe e leni të pushojë 5 minuta

Servimi

E servoni menjëherë, pasi që ka pushuar, me sallatë anash dhe me copa limoni nëse preferoni.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment