Mishi i mështjerrës dhe i mëzatit është shumë më i mirë se i viçit, sidomos nëse është rritë lirshëm e jo në mënyrë intensive. Ka më shumë shije pasi që arrinë të zhvillohet. Shija është e rrumbullakësuar dhe ngjyra e mishit e kuqe e trëndafiltë. Nëse keni zgjidhje, gjithmonë bleni mishin e gjedhit më të rritur, jo të viçit.

Përbërësit (për 5 – 6 persona)

  • 900 – 1100 gr fileto (biftek) mëzati apo mështjerre
  • 4 lugë vaj ulliri
  • 1/2 lugë kripë
  • 1/4 lugë piper i zi
  • 1 lugë rozmarin i grimcuar (apo ndonjë tjetër që ju pëlqen)
  • rreth 10 kokrra gllia/dëllinja apo fruta të kedrit (opcionale)

Përgaditja

  1. Në një enë, që ka mundësi të mbyllet me kapak, i bëni së bashku vajin, kripën piperin e zi dhe rozmarinin. Nëse përdorni glliat/dëllinjat apo kokrat e kedrit, i shtypni pak që të lëshojnë aromën dhe i përzieni me përbërësit tjerë
  2. E preni fileton në copa të trasha rreth 4 cm
  3. E qitni mishin dhe e lyeni mirë në të gjitha anët që të marinohet nga të gjitha anët
  4. E mbyllni me kapak dhe e leni të marinohet për rreth 2 orë. Sa më gjatë që e leni mishi zbutet më shumë
  5. E nxerrni nga frigoriferi 15 minuta para se të filloni me pjekjen, i largoni kokrrat e gllisë/dëllinjës para se ti pjekni
  6. E nxehni mirë fërteren në temperaturë të lartë, mos i shtoni vaj pasi që nuk ka nevojë
  7. Posa që e vëreni se është nxehur fërterja, i qitni copat e mishit një nga një, duke lënë pak hapësirë në mes të copave që të mos bie temperatura
  8. I pjekni nga 6 minuta secilën anë, poshtë dhe lartë, dhe nga 2-3 minuta anash deri sa të skuqet mirë, gjithnjë në temperaturë të lartë
  9. I largoni nga zjarri dhe i qitni në një pjatë ku do ti servoni. I mbuloni me ndonjë pjatë të thellë që të pushojë mishi edhe 5 minuta. Duke pushuar i mbuluar, mishi vazhdon të piqet në brendi por duke e ruajtur ngjyrën e kuqe. Fileto është mëkat që të piqet shumë për shkak se do të thahet dhe do të bëhet i fortë, megjithatë mund ta zgjatni kohën e pjekjes për 2-3 minuta më shumë nëse preferoni më të pjekur
  10. Mund ta përdorni mbetjen në fërtere duke ia shtuar pak ujë deri sa të zbutet. Këtë lëng mund t’ia shtoni patateve, nëse i servoni së bashku me fileton, ose vet filetos, për më shumë shije

Servimi

E servoni menjëherë, pasi që ka pushuar, me patate dhe sallatë anash ose me çkado që preferoni.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment