Lulelakra, duke qenë në familjen e lakrave, është shumë e shëndetshme por e kemi shumë pak në recetat tona të përditshme. Në Kosovë përdoret në turshi të përzier por gati aspak nuk zihet si pjesë e drekës. Mua më pëlqen të bëjë supë me lulelakër por mënyra që e përdori shumë shpesh është si pure që zëvendëson pataten. Për personat që duan të ulin sasinë e sheqerit që konsumojnë por i merr malli për pure patatesh kjo recetë e zëvendëson shumë mirë.
Përparësia tjetër e kësaj pureje është se lulelakra nuk përmban pesticide dhe herbicide deri sa patatet, që nuk janë organike e sidomos ato të importit, kanë sasi shumë të lartë të pesticideve.
Përbërësit (për 4 persona)
- 1 kokë lulelakër rreth 1 kg
- 1/2 lugë kripë
- 1/2 l ujë
- 40-50 gr puter/gjalpë (varësisht sa ju pëlqen)
Përgaditja
- E shpërlani me ujë kokën e lulelakrës me ujë. E shkundni mirë dhe e ndani nga koqani, pastaj në lule më të vogla që të zihen më shpejtë. (Koçanin mund ta përdorni të freskët në sallatë apo ta hani ashtu si është pasi që ta keni qëruar, prandaj mos e hudhni)
- I largoni me thikë nëse ka shenja të zeza nga lulet
- E qitni lulelakrën në një tenxhere dhe i shtoni ujin dhe kripën. Uji nuk ka nevojë që ti mbulojë tërësisht lulelakrat pasi që edhe avulli i zbutë
- E mbuloni me kapak dhe e qitni në zjarrë të lartë deri sa të marrë valë. E ulni temperaturën dhe e lëkundni pak tenxheren që të bien në vend copat e lulelakrës që të mund të zihen njëtrajtshëm
- Lulelakra duhet të zihet për 15 minuta por e provoni për çdo rast për butësi
- Posa që të janë zier i kulloni dhe i qitni në mikser ku do ti bluani sa janë ende të nxehta. Ia shtoni puterin/gjalpin dhe i bluani deri sa të bluhen mirë. Nxehtësia e shkrinë puterin/gjalpin prandaj nuk keni nevojë ta shkrini përpara
- E provoni nëse ka mjaftueshëm kripë, nëse ka nevojë ia shtoni dhe e përzieni pak me mikser
- Tani e qitni në enën që do ta servoni
Servimi
E servoni menjëherë sa është e nxehtë me mishin që e preferoni apo me këpurdha të pjekura. Nëse ju tepron ndonjë sasi të nesërmen mund të bëni supë kremoze me të.



Ju bëftë mirë!