Pasi që ne blejmë të gjitha shpendët nga Bio ferma, në rrugën për Radavc, siç kam shkruar në postimet e mia të mëparshme, kur i sistematizojmë që ti mbajmë gjatë dimrit në ngrirje, i ndajmë të brendshmet si zemrën dhe mëlqinë. Mua nuk më pëlqen ti ngrijë pasi që më duket që ju ndryshon shija dhe, në raste kur kemi më shumë mëlqi, i bëj paté. Pateja mund të mbahet në frigorifer disa ditë dhe ju zgjedhë problemin e mëngjesit apo darkës por është shumë e mirë edhe si meze në pak bukë të rreshkur.

Përbërësit (për 6 – 8 persona)

  • 400 gr mëlqi të freskëta të pulës, shotës/rosës/, gusës/patës, bibës/gjeldetit (të përziera apo një lloj, cilatdo që ti keni)
  • 1 qepë
  • 2 thelpinj hudër
  • 2 lugë yndyrë e shotës/rosës apo gusës/patës ose puter/gjalpë
  • 1 tubë mëlmesa të freskëta ose të thata që i keni (sherebele, trumzë, majoran/manxuranë)
  • 1 lugë konjak apo ndonjë pije tjetër aromatike që preferoni
  • 1/2 lugë uthull balsamik (nëse preferoni)
  • 1/4 lugë kripë
  • 1/6 lugë piper i zi
  • 1/6 lugë aromatikë tjerë që preferoni, unë kam përdorë pimento e që ka aromë kombinim i kanellës, karafilit dhe arrës së muskatit. Shtoni çka ju pëlqen juve
  • 1 – 2 lugë yndyrë (cilëndo që e përdorni) për sipërfaqe të patesë në fund

Përgaditja

  1. I pastroni mëlqitë nga pjesët e panevojshme dhe i kulloni mirë që të kenë sa më pak gjak
  2. E pastroni qepën dhe e preni në gjysëm rrathë. E pastroni hudrën dhe e grimconi pak
  3. I pastroni mëlmesat dhe i ndani gjethet nga shtagat. I grimconi nëse ka nevojë
  4. E ngrohni fërteren dhe i shtoni yndyrën të cilën e përdorni. I shtoni qepët dhe i fërgoni për afro 5 minuta, derisa të aromatizohen. I shtoni hudrat dhe mëlmesat, pas 1 minuti i shtoni mëlqitë
  5. I fërgoni deri sa të skuqen, por mos e teproni, tentoni që të ruajnë butësinë
  6. I shtoni konjakun dhe e leni të avullohet. I shtoni uthullën nëse e përdorni
  7. E largoni nga zjarri, e ndërpreni zjarrin, dhe i shtoni të gjitha mëlmesat që i përdorni
  8. I ftohni pak dhe i qitni në mikser që ti bluani
  9. I bluani mirë dhe kujdesuni që të mos mbeten dromca
  10. E provoni për kripë dhe nëse ka nevojë për më shumë uthull apo mëlmesa
  11. E qitni në një enë që mund ta mbyllni me kapak dhe mund ta mbani në frigorifer. Që të ruajë freskinë, i shtoni pak yndyrë, cilëndo që e përdorni. Pra, e mbuloni mirë sipërfaqen. E leni të ftohet mirë dhe pastaj e mbyllni me kapak dhe e futni në frigorifer

Servimi

Pateja mund të hahet me feta buke të zezë, pra me ndonjë bukë aromatike por edhe me bukë klasike të rreshkur për darkë apo për mëngjes. Mund ta servoni edhe me grisina për meze apo me petë. Në frigorifer mund të qëndrojë deri në katër ditë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment