Mërsina rritet në bregdetin e Shqipërisë lirshëm, sidomos në jug. Është shkurre por që mund të rritet deri në 5 metra. Ka fruta, ose kokrra, që duken të ngjajshme me boronicat por që janë vezake. Kur të prehen, brenda kanë fara dhe e kanë mishin e bardhë. Para se të përdorej piperi i zi, kokrrat e mërsinës janë tharë dhe janë përdorë në vend të tij në zierje. Në Sardenja të Italisë përdoren gjethet e mërsinës për pjekje të mishit dhe frutat përdoren në marmellata speciale dhe në liker që njifet me emrin Mirto.

Unë kisha fatin të mi japin dhuratë afro 700 gr kokrra të mërsinës dhe vendosa që të bëj salcë që ta përdori pastaj në pjekje të mishrave të kuq e sidomos me derr të egër dhe mish shote/rose.

Përbërësit (për 2 gavanozë të vegjël)

  • 700 gr kokrra të mërsinës të pastruara
  • 2 gota ujë
  • 4 molla të ëmbla
  • 1/2 limoni

Përgaditja

  1. I qitni kokrrat e mërsinës në një tenxhere dhe i shtoni ujin. I vendosni në zjarrë të lartë deri sa të marrin valë dhe pastaj e ulni në minimum. I leni të zihen me kapak 1 – 2 orë, deri sa të zbuten, duke i kontrolluar herë pas here. I shtoni ujë nëse avullohet uji
  2. Pasi që të zbuten, i qitni në një kulluese metalike dhe vendosni enën përfundi. I shtypni gradualisht deri sa e nxjerrni lëngun dhe mbetet masa me fara e thatë të cilën e hudhni
  3. I pastroni mollat dhe i preni në copa të vogla, pa qëruar. I shtoni në lëng
  4. E shtrydhni limonin dhe ia shtoni lëngun
  5. I preni copat e limonit pasi që ta keni shtrydhur dhe i shtoni
  6. I ktheni në zjarrë të lartë dhe posa që të marrin valë e ulni në minimum. I leni të zihen me kapak të mbyllur duke i përzier herë pas here që të mos ngjiten
  7. Në momentin që janë zbutur mollat, e ndërpreni temperaturën dhe i largoni copat e limonit
  8. E bluani salcën me mikser vertikal, apo me çkado që keni, dhe e qitni në gavanoz të sterilizuar. I mbuloni me letër deri sa të ftohen. Kur të ftohen i mbyllni me kapak dhe i futni në frigorifer

Përdorimi

Salca qëndron disa muaj në frigorifer. Mund ta përdorni gjatë pjekjes së mishrave të kuq në furrë, sidomos me mishrat e egër dhe me shotë/rosë ose si salcë shoqëruese pas pjekjes. Mund ta përdorni edhe me jogurt dhe drithëra për mëngjes ose ta përzieni me ndonjë reçel më të ëmbël, që ti bëni shijet më komplekse, me bukë dhe puter/gjalpë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment