Burgerët vegjetarianë janë gjithnjë zgjedhje e mirë kur duam ti ikim mishit por nuk duam të hamë diçka të zakonshme. Kjo është recetë e shpejtë nëse keni qiqra në kanaqe apo nëse i keni të ngrira që i keni zier vet. Nëse i keni të ngrira së pari i shkrini pastaj vazhdoni me recetën.

Përbërësit (për 4 burgerë)

  • 1 kanaqe qiqra (240 gr masa neto) ose 240 gr qiqra të ngrira
  • 25 gr arra dhe lajthia (apo çfarëdo fruta arrore tjera që keni)
  • 25 gr miell i zi (2,5 lugë)
  • 1 qepë e vogël (nëse keni të kuqe edhe më mirë)
  • 2 thelpinj hudër të vegjël
  • 1 lugë këri pluhur (ose mëlmesa që ju preferoni)
  • 1 lugë piper i kuq (pikant nëse e preferoni)
  • 1 lugë rigon i thatë apo magdanoz/kopër i grimcuar
  • 1/4 lugë kripë
  • 1/6 lugë piper i zi
  • 1/2 limon i vogël, lëngun
  • 1 lugë salcë soje (opcionale)
  • 2-4 lugë vaj ulliri për fërgim të burgerëve

Përgaditja

  1. I kulloni dhe i shpërlani mirë qiqrat, nëse doni ndonjërës mund t’ia heqni cipat, dhe i qitni të kullohen. Nëse i keni të ngrira, i hapni në letër kuzhine që të shkrihen më shpejtë. Nëse doni ta përshpejtoni procesin e shkrirjes, mund ti shpërlani me ujë të vakët në kulluese dhe ti kulloni mirë
  2. Tani, në mikser me thikë i qitni qiqrat, hudrat e qëruara, qepën e ndarë në 4 copë, arrat/lajthiat, miellin dhe të gjitha mëlmesat përpos limonit dhe salcë së sojës
  3. I bluani shpejtë që të mbetet pak kokra të vogla. Ia shtoni limonin dhe salcën e sojës (nëse e përdorni) dhe e bluani përsëri shumë pak
  4. E provoni me dorë nëse masa ngjitet, nëse është ende e thatë mund ti shtoni edhe pak limon apo salcë soje
  5. I bëni duart me vaj dhe enën ku do ti formësoni poashtu e lyeni me pak vaj
  6. I formësoni burgerët, dhe i mbuloni me letër apo najllon puthitës që të pushojnë 15-30 minuta
  7. I fërgoni në zjarrë mesatarisht të lartë, nga 2-3 minuta secilën anë, apo deri sa të skuqen

Servimi

I servoni menjëherë, me bukë të burgerëve, pitalka apo me petë. E përdorni salcën e kosit me tahini dhe ndonjë sallatë të freskët apo turshi. Anash mund të keni patate të pjekura në furrë apo çkado që preferoni.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment