Kjo është recetë franceze, por që unë e kam ndryshuar pak, në vend të kores kam përdorë biskota të bluara, me puter/gjalpë dhe pak arra, që të kursej kohë. Është ëmbëlsirë freskuese dhe tani është koha më e përshtatshme pasi që është sezoni i limonave dhe, nëse i bleni në Shqipëri nga prodhuesit e vegjël vendor, janë fantastikë.
Për kremën e limonit unë i kam përdorë 6 vezë të plota, por ju mund ti bëni 4 të plota dhe 4 të kuqe nëse doni që të bëhet më kremoze. Unë thjeshtë pritoj ti ndajë vezët.
Përbërësit (për 8 – 12 copë)
- Për koren
- 150 gr biskota dhe 50 gr arra ose vetëm 200 gr biskota
- 4 lugë puter/gjalpë
- Për kremin e limonit
- 6 vezë të mëdha ose 4 vezë + 4 të kuqe të vezës
- 80-100 gr mjaltë, nëse nuk keni mjaltë 100 – 150 gr sheqer (varësisht sa ju pëlqen ëmbël)
- lëkura e gërryer e 2 limonave
- 200 ml lëng limoni (rreth 2 limona të mëdhenj)
- 170 gr puter/gjalpë
Përgaditja
- Në një enë qelqi të thellë, i bëni së bashku lëvoren e limonit, vezët dhe lëngun e limonit së bashku me mjaltin apo sheqerin. I përzieni mirë dhe i qitni përmbi një ene të mbushur me ujë, por që të mos prekë fundi ujin (banja mari). E qitni në zjarrë të lartë dhe përzieni gradualisht deri sa të vëreni që masa ka filluar të ngrohet pak. Ia shtoni puterin/gjalipn e prerë në katrorë dhe vazdhoni ta përzieni deri sa që fillon të bëhet masë kremoze. Nëse uji vlon shumë, e ulni pak temperaturën. Në momentin që trashet kremi, pas 10 minutash afërsisht, e largoni nga zjarri dhe e leni të ftohet pak
- E bëni gati enën ku do ta pjekni tartën, mundësisht në tepsi që i largohet rrethi
- I qitni biskotat dhe arrat (nëse përdorni arra) në mikser me thikë, i shtoni dhe puterin/gjalpin dhe i bluani mirë deri sa të vëreni që ka filluar të bëhet masë pak e ngjitshme. I qitni në tepsinë ku do ta pjekni tartën dhe i hapni mirë duke i shtypur dhe duke i ngritur pak anash
- E lëshoni furrën në 180°C
- Në momentin që ftohet pak kremi e shtoni mbi koren nga biskotat, me kujdes
- E lëmoni pak sipërfaqen dhe e futni në furrë
- E pjekni 10 minuta
- E largoni nga furra dhe e leni të ftohet mirë, ia largoni rrethin
- E futni në frigorifer së paku 2 orë
Servimi
E servoni të ftohtë pas drekës ose edhe në mëngjes me kafe.











Ju bëftë mirë!