Kjo është recetë angleze, shumë befasuese. Kur piqet, në fund krijohet kremi derisa lartë është brumi i shkriftë. Kjo ndodhë pasi që piqet e zhytur në ujë sikur që bëhet krem karamela. Unë e kam bërë me mjaltë por natyrisht që bëhet me sheqer. Nuk ka nevojë të mbahet në frigorifer e as të prisni që të ftohet që ta servoni.
Si zakonisht, ëmbëlsirat angleze nuk janë të njohura për estetikë, janë shumë rustike dhe më shumë fokusohen në shije. Shpesh servohen me lugë, në vend se të prehen në forma të rregullta, e që është rasti edhe me këtë recetë. Nëse doni të jeni më estetik mund ti bëni në enë individuale dhe koha e pjekjes përgjysmohet.
Përbërësit (për 8 porcione)
- lëvore e 2 limonave, e gërryer
- lëngu i 3 limonave (rreth 200 ml jo më shumë)
- 100 gr puter/gjalpë ose 85 ml vaj ulliri (apo tjetër që preferoni)
- 4 vezë të ndara e kuqja nga e bardha (në temperaturë të dhomës)
- 120 gr mjaltë ose 150 gr sheqer (deri në 150 gr mjaltë ose 200 gr sheqer)
- 90 gr miell (80 gr nëse e bëni me sheqer)
- 500 ml tamël/qumësht
Përgaditja
- E bëni gati një enë të thellë, çfarëdo forme që keni, të 2.5 litrave. E lyeni me puter/gjalpë, ose vaj, nga të gjitha anët
- E gërryeni lëkurën nga 2 limona dhe pastaj i shtrydhni të tre limonat deri sa përfitoni 200 ml lëng. E kulloni lëngun nëse ka fara
- E lëshoni furrën të nxehet në 180°C dhe e futni puterin/gjalpin në furrë me një enë të vogël që të zbutet por jo të shkrihet tërësisht. Nëse e përdorni vajin e kaloni këtë hap
- I ndani vezët dhe të bardhës i shtoni pak kripë në maje të gishtave dhe e tundni në shkumë të fortë, e leni anash
- Në një enë të thellë i përzieni mirë të kuqet e vezës me mjaltin (ose sheqerin). E shtoni puterin/gjalpin, apo vajin, duke e përzier. E shtoni lëngun e limonit duke e përzier dhe pastaj shtoni miellin
- E përzieni dhe e shtoni tamlin/qumështin. Nëse ndahet puteri/gjalpi nuk ka problem
- Tani i shtoni një lugë të madhe të bardhës së vezës dhe përzieni që të shpërndahet. E shtoni edhe pjesën e mbetur të të bardhës dhe e përzieni mirë. Brumi do të jetë shumë i lëngshëm dhe me droçka të vogla të të bardhës, por ashtu duhet të jetë
- E shprazni masën në enën e pregaditur, e qitni në tepsi tjetër dhe e mbushni me ujë të vluar deri në gjysmë të enës ku gjindet brumi. Nëse pritoni, mund të mos e futni në enë me ujë, pra e pjekni në mënyrë klasike, rezultati do të jetë pak më ndryshe por megjithatë do të jetë i mirë
- E futni me kujdes në furrë dhe e leni të piqet për 40-45 minuta, deri sa të skuqet sipërfaqja
- Pasi që të skuqet sipërfaqja, e largoni me kujdes nga furra. E nxjerni nga ena me ujë dhe e leni të ftohet pak
Servimi
Mund ta servoni edhe të nxehtë me akullore të vaniles apo pa akullore. E merrni me një lugë të madhe dhe e qitni në pjatë të vogël ose enë të thellë dhe mos harroni të shtoni edhe kremin në fund. Nëse ju duket shumë e thartë mund ti shtoni pak mjaltë, ose sirup panje, nëse nuk e servoni me akullore. Nuk keni nevojë ta mbani në frigorifer nëse hahet brenda dy ditëve.











Ju bëftë mirë!