Ulja është metodë që përdoret për përmirësimin dhe zbutjen e drithërave, fasules, lenteve, orizit, qiqrave dhe të ngjajshme. Kjo bëhet shumë thjeshtë duke e vendosur përbërësin në ujë të ftohtë, mundësisht të filtruar. Kjo e ndihmon procesin e shpërbërjes së përbërësve që janë vështirë të tretshëm nga organizmi ynë si psh: saponinet, fitatet (acidi fitik), taninet etj. Në rastin e orizit të bardhë është e rëndësishme ulja sepse e largon edhe arsenikun. Ne zakonisht i ulim fasulet gjatë natës që të lehtësohet zierja por ky proces ka rëndësi pak më shumë sesa thjeshtë shkurtimi i kohës së zierjes e ai është shpërbërja e acidit fitik i cili në organizmin tonë pengon absorbimin e përbërësve të domosdoshëm. Me shpërbërjen e acidit fitik, ne e bëjmë ushqimin më të lehtë për traktin e tretjes dhe kemi më pak pengesa me problemet e tretjes sidomos pas drekave të bollshme.
Orizi
Orizi i bardhë, pra i qëruar nuk ka nevojë që të jetë gjatë në ujë. 15 minuta i mjafton. Por, nëse nuk keni kohë as 15 minuta, duhet patjetër që ta shpërlani me disa ujëra që të largohet arseniku. Gjithmonë e shpërlani së pari orizin pastja e vendosni në ujë. E këtë duhet ta bëni gjithmonë me të gjitha llojet e orizit, pra patjetër ti shpërlani së pari. Duhet ta keni parasysh që orizi do të thithë ujë dhe do të zihet më shpejtë. Prandaj e ulni sasinë e ujit në recetë për 20%.
Orizi integral poashtu duhet të shpërlahet mirë pastaj të ulet në ujë të filtruar. Pasi që e ka shtresën e jashtme të pagërryer, orizi integral zbutet më vështirë dhe prandaj i duhet së paku dy orë që të zbutet dhe të fillon zbërthimi i acidit fitik.
Orizi i kuq, i kaftë, i zi dhe i egër poashtu duhet të shpërlahet mirë dhe pastaj të ulet në ujë së paku 2 orë ose edhe gjatë natës. Këto lloje të orizit kërkojnë kohë më të gjatë të zierjes, janë më të fortë për shkak se e kanë shtresën e jashtme vështirë të depërtueshme por keni kujdes që të mos teprohet me zierje që të mos humbet forma e kokrrave.
Orizi aromatik (basmati apo jasmin) – duhet patjetër të shpërlahet dhe të ulet afro 15 minuta.