Kanella është mëlmesë që preferohet nga shumë si shtesë e shëndetshme sidomos në rregullim të peshës dhe mbajtje në kontroll të sheqerit dhe yndyrës në gjak. Është pjesë përbërëse e shumë ëmbëlsirave por edhe në gatimet me kripë si në këri dhe gatime orientale. Në Europë më shumë e përdorim në ëmbëlsira e sidomos në recetat me molla, ftonj, tamëloriz (sutliash), etj.
Përpos ndihmës në problemet me sheqer dhe yndyrë në gjak, kanella ka edhe veti antibakteriale prandaj është mirë që ta përdorni në gatimet tuaja, në çaj, në kos me fruta, etj. Poashtu aroma është e mirë për rregullim të disponimit.
Por duhet të kemi kujdes se cilin lloj të kanellës e përdorim
Ka dy lloje të kanellës që shiten dhe përdoren: 1. Kanella e Cejlonit dhe 2. Kanella Kasia (Cassia,Saigon, Korintje)
Kanella e Cejlonit apo kanella e vërtetë, është kanella që përdoret më së shumti në Europë, dhe përdoret në shumë gatime, sidomos ëmbëlsira dhe receta dimërore pasi që ka efekt ngrohës. Nëse e bleni të pabluar, në formë të shtagave, ka ngjyrë të qelët të kuqrremtë në kafe shumë të lehtë. Ka aromë të lehtë dhe shtresat janë të holla dhe të lëmuara, ngjyra është e njëtrajtshme dhe jo e përzier. Nëse e bleni në formë të pluhurit, aroma dhe ngjyra janë poashtu të lehta dhe pluhuri është i hollë pra nuk është i vrazhdë nëse e fërkojmë në mes të gishtave, është më shumë pluhur se sa kokrriza.
Kanella Kasia poashtu gjindet në treg dhe mund të mos shkruhet se cili lloj është. Nëse është në formë të shtagave, Kasia dallohet shumë lehtë pasi që është me ngjyrë të kuqrremtë të mbyllur dhe me nuanca të përziera. Poashtu është vetëm një shtresë e trashë e mbledhur në cilindër pra nuk është shumëfish. Është shumë më e vrazhdë dhe më e fortë në prekje dhe ka aromë më të fortë se kanella e Cejlonit. Poashtu në formë të bluar është kokrriz dhe e vrazhdë nëse e marrim në mes të gishtave.
Në foton e parë dhe të dytë, djathtas është kanella Kasia, në të majtë kanella e Cejlonit apo e vërtetë. Në foton e tretë, poshtë është kanella Kasia, lartë kanella e Cejlonit. Në foton e fundit, copa e majtë është kanellë Kasia, djathtas është kanellë e Cejlonit.




Pse na nevojitet të dijmë dalimin? Kanella Kasia është e rrezikshme për shëndetin e njeriut, pasi që përmbanë sasi të lartë të kumarinës e cila e shkatërron mëlçinë, prandaj duhet ti ikni këtij lloji të kanellës. Në sasi të vogla nuk është problem por nëse e përdorni si suplement, apo çdo ditë në çaj dhe keni probleme me mëlçinë, duhet ta ndërpreni dhe të kaloni të përdorni kanellën e Cejlonit. Prodhuesit që shesin me të vërtetë kanellë Cejloni, e shkruajnë në paketimin e tyre por, nëse nuk ka kurrfarë mbishkrimi ose prapa në paketim nuk shkruan përmbajtjen, nëse nuk jeni të sigurt mos e merrni.
Nëse keni megjithatë kanellë Kasia në shkopinj, apo ju sjellë dikush si dhuratë, mos e hudhni pasi që mund ta përdorni si aromatizues dhome në potpuri.