Kjo është recetë për tip “brownie” pa miell, pa sheqer (me mjaltë) dhe nëse doni edhe me yndyrë kokosi, pra mund të konsiderohet pak më i shëndetshëm sidomos nëse i keni përbërësit organik.

Miell të gështenjës mund të gjeni në shitore të specializuara të ushqimit të shëndetshëm dhe pa gluten ose organik. Mund të gjeni edhe në shitoret e Neranxit por keni kujdes pasi që një herë një prodhim i Neranxit që kam marrë ka qenë shumë i keq. Unë zakonisht e marr prodhim italian, për çka më vjen shumë keq pasi që Kosova dhe Shqipëria kanë mjaftë gështenja të egra por askush nuk e ka perfeksionuar përfitimin e miellit kualitativ.

Për këtë recetë unë përdori kakaon neutrale prandaj edhe shtoj pak uthull për aktivizimin e sodës bikarbone. Nëse ju e përdorni kakaon natyrale nuk ka nevojë për uthull.

Përbërësit (për 8 – 10 copë)

  • 1 1/2 gotë (250 ml) miell gështenje
  • 6 lugë kakao pluhur
  • 1/6 lugë sodë bikarboni
  • pak kripë
  • 3 vezë të mëdha
  • 1/4 gotë ujë i ngrohtë (jo i nxehtë)
  • 1/2 gotë puter/gjalpë i shkrirë (jo i nxehtë) ose yndyrë kokosi
  • 3/4 gotë mjaltë
  • 1/4 lugë uthull
  • 1 lugë vanile (esencë ose e bluar) ose 1 qese sheqer vanile
  • rreth 50-60 gr arra të coptuara për zbukurim (opcionale)

Përgaditja

  1. Së pari e bëni gati enën ku do ta pjekni kekun, mundësisht katrore apo drejtëkëndore. E mbuloni fundin me letër për pjekje dhe e lyeni anash me vaj apo puter/gjalpë. E lëshoni furrën në temperaturë 175°C – 180°C
  2. Në një enë të thellë, vendosni përmbi sitën dhe i shtoni së bashku të gjithë përbërësit e thatë që i keni, i sitni mirë
  3. I tundni mirë të gjithë përbërësit e lagshtë në një enë të thellë me mikser të dorës apo mikser statik. Ia shtoni masës së thatë dhe i përzieni deri sa të bëhen mirë së bashku. Brumi është pak i hollë, ashtu duhet të jetë
  4. E shprazni në enën e pregaditur për pjekje dhe nëse doni e zbukuroni me pak arra të coptuara
  5. E futni në furrë dhe e pjekni për 40 minuta deri sa mesi nuk është i lëngshëm
  6. E leni të ftohet 15 minuta, mund ta nxjerrni nga ena dhe ta preni

Servimi

Mund ta servoni menjëherë me çaj, kafe apo me një gotë tamël/qumësht.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment