Ravioli nuk është vëstirë të bëhen por kërkojnë pak më shumë kujdes, durim dhe energji. Për mendimin tim duan më shumë punë se pitet kosovare. Për ti hapur, ndihmon shumë aparati i pastave, e nëse nuk e keni, do të ju duhet patjetër ndihmë së paku dikush tjetër ta bën mbushjen dhe prerjen. Mua herë pas here më kap dëshira që ti bëj , edhe pse më lodhin, pasi më pëlqejnë shumë. Nuk jam ndonjë ekspert dhe nuk merrem shumë me anën estetike, dmth nuk kam kallëpe për prerje të tyre, edhepse kohëve të fundit po mendoj që ta bëj. Nëse keni durim dhe kohë provoni ta bëni këtë recetë pasi që ia vlenë.

Përmasat e brumit të pastave janë shumë lehtë për tu mbajtur mend: 1 vezë me 100 gr miell dhe pak kripë, dhe e shtojmë sasinë sa na duhet. Nëse vezët janë të vogla mund të shtojmë 1/2 – 1 lugë tamël/qumësht, varësisht prej thatësisë së brumit.

Përbërësit (për 3 persona)

  • 2 vezë
  • 200 gr miell (tip 0 ose 00 sipas standardit italian ose 400 apo 500 sipas standardit ish jugosllav)
  • pak kripë
  • 1 lugë tamël/qumësht nëse vezët janë të vogla dhe brumi mbetet i thatë
    • për mbushjen:
  • 1 këpurdhë e madhe e pjekur me rikota (gjizë) nga receta e mëparshme ose 1 këpurdhë e madhe me 50 gr rikota (gjizë), pak piper i zi, pak rigon i terur dhe kripë
  • 150 gr spinaq i pastruar
  • 6 lugë miell gështenje ose hikrre
  • 1/6 lugë arrë muskati
  • 3 lugë djathë parmezan i gërryer
  • pak kripë nëse ka nevojë
    • për salcën 1: 8 gjethe të sherebeles, 3 lugë puter/gjalpë + 2 lugë puter/gjalpë nëse nevojitet (këtë e kam përdorë unë në këtë rast) ose
    • për salcën 2: 10 domatina, 4 lugë vaj ulliri me pak kripë, piper dhe qepë të njoma për fund

Përgaditja

  1. E sitni miellin dhe e qitni në një enë ku do ti përzieni me mikser të brumit, ose drejtë në dërrasë nëse doni ti bëni me dorë. I shtoni kripën dhe vezët dhe filloni të përzieni brumin deri sa të bëhet masë. Nëse është e thatë i shtoni nga pak tamël/qumësht me kujdes që mos të bëhet i ngjitshëm brumi
  2. Tani e ngjeshni brumin, me mikser 3 minuta ndërsa me dorë 5 minuta, deri sa brumi të jetë elastik dhe i butë por jo i ngjitshëm
  3. E mbështjellni në folije të tejdukshme dhe e futni në frigorifer që të pushojë së paku 30 minuta
  4. Derisa të pushojë brumi e pregatisni mbushjen. E grimconi këpurdhën mirë, e grimconi spinaqin imët dhe i qitni në një enë ovale ku do ti përzieni. I shtoni të gjithë përbërësit tjerë dhe e përzieni mirë
  5. E nxjerrni brumin nga frigoriferi dhe e qitni në sipërfaqe të punës ku keni hedhur miell që të mos ngjitet
  6. E preni në dy pjesë dhe filloni ta hapni me makinën e pastave, së pari në pjesën më të gjërë e kaloni dy herë. Pastaj në pak më të ngushtë 1 herë. Në më të ngushtë edhe një herë dhe pastaj në masën e fundit, më të hollën, një herë, duke pasur kujdes që ta mbani me dorë nga të dy anët që të mos ngjitet. E hapni në sipërfaqe me shumë pak miell. E përsësrisni të njejtën me pjesën tjetër të brumit
  7. Me një lugë të vogël e shpërndani mbushjen duke lënë hapësirë në mes të njëra tjetrës
  8. Ia qitni me kujdes pjesën tjetër të brumit përmbi dhe me duar filloni ti shtypni mesin dhe anash. I preni me thikë secilën (nëse keni thikë rrotulluese edhe më mirë). E preni brumin që ju duket i tepërt
  9. Nëse ju duket që anët e brumit janë të thata dhe se raviolit mund të mos ngjithen mirë, i lagni ngapak me ujë me një brushë dhe i shtypni mirë me gisht apo me pirun që të ngjithen mirë
  10. Iu largoni miellin e tepërt nëse kanë dhe i leni në sipërfaqe të punës deri sa të vloni ujin
  11. Në një enë të hapur (të gjërë) e vloni ujin (rreth 3 – 4 litra) dhe i shtoni 1 lugë kripë
  12. Në anën tjetër, në një tavë/fërtere e skuqni puterin/gjalpin me sherebele dhe e ulni temperaturën në minimum deri sa ti zieni raviolit
  13. Tani i shtoni një nga një raviolit në ujin e vluar që të zihen, me radhë që të mos ftohet uji. Posa të vëreni që kanë filluar të zihen i hudhni në puterin/gjalpën që e keni anash deri sa të kryeni gjysmën e raviolit, ia shtoni 2-3 lugë nga lëngu i pastave. E largoni pjesën e parë të pastave dhe e qitni në pjatë ku do ti servoni. Vazhdoni me pjesën tjetër të pastave dhe i shtoni puterin/gjalpën rezervë nëse ka nevojë
  14. Nëse i bëni me tomatina në vend të sherebeles, i përgjysmoni tomatinat dhe i fërgoni në vaj me të gjithë përbërësit tjerë përpos qepëve dhe ia shtoni raviolit me pak lëng të tyre që të trashet salca. Në fund i zbukuroni me qepët e njoma
  15. Nëse ju ka tepruar brumë i pastave, e hapni dhe e preni hollë dhe e terni në një letër, mund ti përdorni për supa

Servimi

I servoni menjëherë, sa janë të nxehta, me pak parmezan nëse ju pëlqen.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment