Kremi i limonit (lemon curd) bëhet shumë lehtë dhe më pëlqen për shkak se nuk ka miell apo nisheste në të. Bëhet me lëng limoni, por mund ta bëni edhe me lëng portokalli apo mandarinash. Çka ju duhet tjetër janë vezët, ëmbëlsues (sheqer apo mjaltë) dhe puter/gjalpë.
Mund ta përdorni për tartë limoni apo mund ta servoni në gotë si unë me biskota të bluara. Mua më pëlqen edhe me petulla amerikane apo me palpetë (krepa). Mund ta shërbeni edhe me skonë me çaj.
Në këtë recetë unë kam përdorë limona të gjelbër nga Elbasani që janë identik me Key Lime dhe që përdoren në ëmbëlsirën amerikane Key Lime Pie.
Përbërësit (për 5-6 gota mesatare)
- 3 limona (+1 nëse janë të vegjël), lëkura dhe lëngu i tyre 160 ml
- 150 ml mjaltë ose 100 gr sheqer
- 4 vezë
- 110 gr puter/gjalpë
- afro 150 gr biskota për fund
Përgaditja
- I pastroni limonat dhe i thani me letër kuzhine. I gërryeni vetëm sipërfaqen e verdhë/gjelbër, mos e gërryeni pjesën e bardhë, e qitni në një enë ku do ta zieni
- I shtrydhni limonat dhe e matni sasinë deri sa të bëhet 160 ml dhe e kulloni nëse ka fara. E shtoni në enën ku do ta zieni
- Ia shtoni mjaltin ose sheqerin dhe e përzieni mirë
- Ia shtoni vezët dhe e përzieni me një tel për tundje që të bashkëdyzohen
- E preni puterin/gjalpin në katrorë dhe e mbani afër
- E qitni enën me limon dhe vezë në zjarrë të lartë dhe e përzieni deri sa fillon pak të ngrohet. I shtoni menjëherë puterin/gjalpin
- E përzieni vazhdimisht deri sa të shkrihet mirë puteri/gjalpi
- Tani e merrni një lugë të drurit dhe vazhdoni ta përzieni deri sa vëreni që ka filluar të ngrohet kremi. E ulni temperaturën për dy dhe vazhdoni ta përzieni. Pas 2 minutash e ulni temperaturën edhe për dy
- E përzieni deri sa të vëreni që ka filluar të trashet por kurrsesi nuk guxon të vlojë. E vëreni që është mjaftë kur e mbani pak lugën jashtë kremit dhe e vëreni që kremi e mbështjellë lugën (si në foto). E mbyllni zjarrin tërësisht dhe e leni edhe pak duke e përzier
- E largoni nga zjarri dhe e mbuloni me një letër kuzhine deri sa të ftohet pak
- Tani kremi është gati dhe mund ta mbani në gavanoz në frigorifer. Duhet ta përdorni brenda 5 ditëve ose mund të bëni desert me të si në vazhdim
- I bluani biskotat që i preferoni, unë i kam përdorë disa që i kam gatuar vet pasi që kisha tepricë
- I qitni në fund të gotës 2 lugë trosha të biskotave dhe i shtoni 3 lugë kremë limoni. E mbuloni me 2 lugë tjera të troshave të biskotave vazhdoni kështu deri sa të hargjoni tërë masën, duhet të dalin afro 6 gota të mesme
- I mbështjellni me najllon puthitës dhe i mbani në frigorifer së paku një orë
Servimi
I servoni pasi që të ftohen mirë, ashtu si janë, me një lugë. Është desert i mirë pas një dreke me peshk apo mishrave me shije të fortë, që të ju shpërlanë qiellzën, por mund ta shërbeni edhe me kafe të mëngjezit apo sido që ju pëlqen juve.










Ju bëftë mirë!