Këpurdhat portobello janë shumë të shijshme dhe praktike kur doni një drekë të lehtë pa mish por që megjithatë përmbanë proteina. Nëse nuk keni portobello, mund të përdorni edhe të bardhat (shampinjon) të mëdha, vetëm se atyre ju duhet një kohë më e gjatë për pjekje pasi që janë më me shumë tul dhe janë më të dendura. Nëse i servoni vetëm këpurdhat janë të mira si meze apo darkë e lehtë, e nëse i shtoni edhe pak spinaq dhe polenta do ta keni një drekë të plotë.
Përbërësit (për 6 persona)
- 6-7 këpurdha portobello apo të bardha (shampinjon) të mëdha
- 4 lugë vaj ulliri
- pak kripë dhe piper të zi
- (opcionale) pak kaçkavall apo parmezan të gërryer për zbukurim të këpurdhave
- për mbushjen:
- 150 gr rikota apo gjizë të freskët të ëmbël (nëse doni më shumë djathë mund të shtoni edhe 50 gr rikota)
- 6 lugë arra ose bajame të bluara
- 1 lugë rigon i thatë
- 1/4 lugë kripë
- 1/4 lugë piper i zi
- për servim (opcionale): 500 gr gjethe spinaqi të pastruara (nuk ka nevojë të grihen), 2 lugë vaj ulliri, pak kripë, pak pluhur të hudrës apo 2 thelpinj hudre të ndrydhura për aromë
- për polenta (opcionale): 1 gotë (2.5 dcl) polenta, 4 gota ujë, 1/4 lugë kripë, 4 lugë vaj ulliri
Përgaditja
- Nëse doni ti servoni me spinaq, në fillim pastroni spinaqin para se të filloni me çkado tjetër
- I fshini këpurdhat me një letër kuzhine, apo me brushë, nga papastërtitë. Ia largoni bishtat dhe i ndani anash për mbushje. Ia largoni pjesën e zezë përfundi këpurdhave pasi që nuk ka ndonjë shije. E lëshoni furrën në 200°C
- E qitni pak nga vaji në një tepsi ku do ti pjekni dhe i renditni mbrapshtë, pra pjesën e fundme lartë. I kriposni pak, i qitni pak piper të zi. Tani ia shtoni përmbi pjesën tjetër të vajit të ullirit, duke u kujdesur që secila këpurdhë të marinohet me vaj, pasi që këpurdhat nuk kanë yndyrë të veten
- I futni këpurdhat në furrë, dhe deri sa të piqen, filloni ta pregatisni mbushjen
- I grimconi imët bishtat e këpurdhave dhe i qitni në një enë ovale të thellë. I shtoni rikotën dhe të gjithë përbërësit tjerë. I përzieni mirë
- I nxjerrni këpurdhat nga furra dhe e mbushni secilën me përzierjen e rikotës. I qitni pak djathë kaçkavall apo parmezan përmbi që të duket më bukur kur piqet (unë kam harru t’ia qes). E ktheni në furrë dhe e ulni temperaturën e furrës në 180°C
- Deri sa të bëhen këpurdhat, pregatisni polentën dhe spinaqin
- Në një enë të thellë e vloni ujin me kripë për polenta. Posa të merr valë i shtoni miellin e polentas dhe e ulni temperaturën në minimum. E përzieni me tel rrahës deri sa të zihet (rreth 2 minuta) dhe i shtoni vajin e ullirit. E përzieni mirë dhe i shtoni pak ujë nëse ju duket e trashë duke e përzier. E largoni nga zjarri, e mbuloni me kapak dhe e leni për më vonë
- Nëse janë bërë këpurdhat, pra janë skuqur pak në sipërfaqe, i nxjerrni nga furra dhe deri sa të pushojnë pak e bëni spinaqin
- Në një fërtere të thellë, apo wok, në temperaturë të lartë por pa u ngrohur ende, e qitni vajin dhe hudrat (nëse nuk përdorni pluhur të hudrës) dhe i shtoni menjëherë spinaqin. E mbuloni me kapak dhe e përzieni herë pas here deri sa të zbutet. Posa të zbutet i shtoni kripën dhe pluhurin e hudrës (nëse nuk keni përdorë thelpinj). E largoni nga zjarri dhe i largoni thelpinjtë e hudrës nëse i keni përdorë, Spinaqi nuk duhet të zihet, vetëm të zbutet
Servimi
I servoni menjëherë, sa janë të nxehta, së bashku me polentën dhe spinaqin. Prezentimin e bëni ashtu si ju pëlqen juve si p.sh. në fund polentën, pastaj spinaqin dhe në krye këpurdhën me pak lëng që kanë lëshuar këpurdhat ose spinaqi. Për ata që nuk duan ti përzien shijet (si disa në familjen time :-)) i qitni ndarazi, afër njëra tjetrës, në pjatë. Nëse i keni pregatitë vetëm këpurdhat, pa spinaq dhe polenta, mund ti servoni me pak bukë të rreshkur dhe të lyer me hudër. Nëse ju tepron ndonjë këpurdhë mund ta servoni për mëngjez me vezë apo ta përdorni si mbushje në ravioli.






Ju bëftë mirë!
1 Comment