Souflé është recetë që shumë njerëz i ikin për shkak se mund të mos ketë sukses gjatë pjekjes. Ka verzione të ëmbla dhe të njelmëta. Është recetë franceze dhe përdorë si bazë beshamelin (miell i fërguar në yndyrë dhe e shuar me tamël/qumësht) dhe vezët, ku e verdha shtohet në beshamel derisa e bardha bëhet shkumë e fortë që shtohet në fund. Ka përjashtime ku nuk përdoret baza e beshamelit, në rast kur bëjmë suflé me çokolatë, ku çokollata e shkrirë përdoret si bazë në vend të beshamelit.
Kur e mësojmë principin e suflesë e kemi të lehtë të gatuajmë disa lloje të saj dhe është recetë shumë interesante dhe mbresëlënëse nëse keni ndonjë musafir që e vlerësoni. Patjetër provoni për vete disa verzione derisa të ju duket që e keni përvetësuar mirë. Nëse doni ta bëni për musafirë, e kryeni pjesën më të madhe më heret, pra e bëni beshamelin, e përzieni me të verdhën, i shtoni shijet që do ti përdorni (djathë, spinaq, apo lëng limoni nëse e bëni të ëmbël, etj) dhe e mbani në frigorifer deri në momentin kur ju duhet. Poashtu e bëni gati edhe enën/enët ku do ti piqni dhe i mbani në frigorifer deri në momentin kur doni ti piqni. Pastaj vetëm e nxjerrni masën nga frigoriferi që të ngrohet pak në temperaturë të dhomës, i shtoni të bardhën e tundur mirë dhe e pjekni 15 – 20 minuta apo deri sa të fryhen dhe të skuqen.
I pjekni në enë individuale të thella, të porcelanit apo të qelqit, që e durojnë nxehtësinë. Patjetër i lyeni me gjalpë dhe pak parmezan të gërryer apo ndonjë djathë tjetër të ngjajshëm. Kjo i ndihmon soufflesë që të rritet. Mos përdorni kaçkavall të butë, ju duhet kaçkavall gjysëm i butë që të mund të gërryhet lehtë.
Përbërësit (për 4 persona)
- 3 lugë miell
- 3 (+1 sipas nevojës) lugë puter/gjalpë
- 230 ml tamël/qumësht
- 1/4 lugë kripë (vetëm nëse djathi nuk ka shumë kripë dhe pak për të bardhën e vezës)
- 2 lugë magdanoz apo kopër të grimcuara (opcionale)
- 1/2 lugë mustardë (opcionale)
- 3 vezë
- 80 gr djathë kaçkavall të dhisë apo deles gjysëm i butë i gërryer
- për enët ku do ti piqni nevojitet pak puter/gjalpë për lyerje dhe pak djathë parmezan, apo ngjajshëm, i gërryer
Përgaditja
- Së pari e bëni gati beshamelin. Në një enë të vogël e qitni puterin/gjalpin dhe e shkrini pak. Ia shtoni miellin dhe e fërgoni për 1 minutë. Ia shtoni edhe një lugë puter/gjalpë nëse masa është shumë e thatë. Kur miellit nuk i vie më era e grurit e largoni nga zjarri anash dhe i shtoni tamlin/qumështin duke e përzier gradualisht që të mos bëhen toptha. Mund ta përzieni me tel tundës. E ktheni të zihet edhe pak në temperaturë të ulët deri sa të trashet. E largoni nga zjarri dhe e leni të ftohet
- Gjatë kësaj kohe, i bëni gati enët (apo enën) duke i lyer me puter/gjalpë në tërë sipërfaqen dhe i bëni me djathë të gërryer (parmezan apo ngjajshëm)
- Tani e lëshni furrën në 190°C dhe nxjerrni telin nga furra që ti renditni enët në të kështuqë ta keni më lehtë ti fusni në furrë
- I shtoni mustardën (nëse i përdorni), magdanozin ose koprën dhe djathin. I ndani vezët dhe të bardhën e qitni me pak kripë në enën ku do ti tundni
- Tani i shtoni të kuqet në beshamel dhe i përzieni mirë deri sa të njëtrajtësohen
- I tundni të bardhën deri sa të bëhen shkumë e fortë. Ia shtoni 2 lugë të bardhës së vesë në beshamel dhe e përzieni me kujdes (mos e tundni). Tani i shtoni edhe pjesën tjetër dhe e përzieni prej poshtë lartë që të njëtrajtësohet. Nuk ka problem nëse mbetet ndonjë e bardhë e papërzier tërësisht
- I ndani në enët që i keni bërë gati dhe i futni në furrë që të piqen për 20 minuta për enët individuale dhe 35 – 45 minuta për një enë të madhe
- E servoni menjëherë pasi që sufleja fillon të bie posa që fillon të ftohet
Servimi
Ky lloj i sufflesë servohet zakonisht në mëngjez por është e mirë edhe për darka e sidomos kur keni musafirë. Mund ta shërbeni me një sallatë anash, ullinj ose edhe me turshi.










Ju bëftë mirë!