Kjo recetë e lehtë dhe që zihet në një enë, është praktike dhe e shpejtë kur nuk keni shumë kohë që të merreni me drekën. Është recetë që pëlqehet shumë sidomos nga fëmijët. Unë kam kohë të gjatë që nuk e kam pregatitë pasi që kam pasë vështirësi të gjej patate organike. Tani nuk e kam më këtë problem pasi që e kam më lehtë të gjej patate organike prandaj edhe mu kujtua që ta pregatis.
Përbërësit (për 6 persona)
- 3 – 4 lugë vaj ulliri
- 1 qepë e madhe apo 2 të vogla
- 1 karrotë e madhe
- 1 pastenak mesatar apo një copë e rrënjës së selinosë (opcionale)
- 2 thelpinj të mëdhenjë hudër
- 500 gr mish i grirë (sipas preferencës i viçit apo i mështjerrës)
- 1/2 gotë verë e kuqe (opcionale)
- 700 – 800 gr patate
- 2 dcl pasatë domatesh ose një domate e madhe e qëruar dhe grimcuar
- 1, 5 lugë piper i kuq
- 1 lugë rigon
- 1/2 lugë këri pluhur (opcionale)
- 1/4 lugë piper i zi
- 1/3 lugë kripë
Përgaditja
- Së pari i grimconi qepët, karrotat, pastenakun ose rrënjën e selinosë dhe hudrat
- Në një tenxhere me fund të gjërë e qitni vajin dhe në tempraturë mesatarisht të lartë i fërgoni qepët për 5 minuta. I shtoni karrotën dhe pastenakun apo selinon dhe i fërgoni edhe 5 minuta
- I shtoni hudrën dhe i fërgoni për 1 minutë. E shtoni mishin dhe e shtypni me lugë që të ndahet
- Deri sa të fërgohet mishi, i qëroni patatet dhe i preni në katrorë mesatarë. Herë pas here e përzieni mishin dhe kur shteret ia shtoni verën dhe prisni derisa të avullojë
- Tani i shtoni patatet dhe i fërgoni në temperaturë mesatare për 5 – 10 minuta
- Tani i shtoni të gjitha mëlmesat dhe domaten dhe 1-2 gota ujë. I përzieni pak dhe e mbyllni me kapak. E ulni temperaturën në minimale
- E leni të zihet rreth 40 minuta deri në një orë apo deri sa të zihen patatet
- E largoni nga zjarri dhe e leni të pushojë 5 minuta
Servimi
E servoni me ndonjë sallatë, apo turshi, dhe kos ose sido që ju pëlqen. Tepricat mund ti mbani në frigorifer deri në tre ditë.








Ju bëftë mirë!