Është shumë lehtë të pregaditet mustardë/senf në kushte shtëpie, nëse keni fara sinapi (mustarde). Farat e sinapit (mustardës) i gjeni në cilëndo shitore që është e furnizuar me mëlmesa dhe sidomos shitoret që janë të specializuara në ushqim të shëndetshëm.

Ka disa lloje të farave të sinapit (mustardës), janë të verdhat, të kaftat dhe të zezat, dhe varësisht nga ngjyra ndryshon edhe shija, apo më saktë, fortësia. I verdhi është më i butë në shije, deri sa i ziu është më i fortë dhe ka shije më të mprehtë.

Principi i pregatitjes së mustardës është përzierja e farave të bluara të sinapit me ujë ose ndonjë pije si birrë ose verë, pak kripë, uthull. Dhe pastaj mund të shtohen sipas dëshirës pak mjaltë apo pak kurkumë (turmerik). Dijon mustarda zakonisht bëhet me lëngun e rrushit të papjekur në vend të uthullës.

Mund të bëhet vetëm me farat e verdha apo ti kombinoni. Unë këtu do ti kombinoj të verdhat me të kaftat. Varësisht nga ngrohtësia e ujit që përdoret në pregaditjen e salcës varet edhe fortësia apo ashpërsia e salcës. Sa më i grohtë uji salca bëhet më e butë. Unë do ta bëj me ujë në temperaturë të dhomës.

Përbërësit (për 1 gavanoz të vogël)

  • 6 lugë fara sinapi (mustarde) të verdha
  • 2 lugë fara sinapi (mustarde) të kafta
  • 1/3 lugë kripë
  • 1/3 lugë pluhur kurkume/turmeriku (opcionale)
  • 120 ml ujë ose birrë në temperaturë dhome (sa më e ngrohtë do të bëjë mustardën me të butë në shije)
  • 3 lugë uthull molle apo rrushi të bardhë ose lëngu i shtrydhur i rrushit të papjekur

Përgaditja

  1. I bluani farat e verdha (me mulli elektrik të kafes ose i shtypni në havan) deri sa të përfitoni pluhurin e verdhë dhe i qitni në një enë ku do ti përzieni
  2. I bluani pak farat e zeza duke i mbajtur pak nga kokrrat të pabluara dhe i përzieni me pluhurin e farave të verdha
  3. I shtoni kripën dhe kurkumën (nëse e përdorni) dhe i përzieni
  4. Tani i shtoni ujin dhe e përzieni mirë. E mbuloni me kapak ose letër dhe e leni të pushojë së paku 10 minuta. Sa më gjatë që e leni të pushojë mustarda do të bëhet më e butë në shije
  5. Pas 10 minutash, apo më shumë, i shtoni uthullën dhe e përzieni. Uthulla e ndërprenë procesin e zbutjes dhe e ruan ashpërsinë e mustardës prandaj ju vendosni sa kohë doni të mbani pa i shtuar uthullën
  6. E qitni në një gavanoz dhe e mbyllni me kapak. E futni në frigorifer dhe mos e përdorni deri sa nuk kalojnë 12 orë

Servimi

Salca e sinapit (mustarda) përshtatet shumë me mish pule të pjekur por edhe me mish viçi e sidomos në burgerë apo salçiçe. Kjo salcë qëndron gjatë në frigorifer, 1 vit, pra nuk prishet por, pas një kohe mund të thahet prandaj preferohet që të konsumohet brenda pesë – gjashtë muajve.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment