Kjo është një recetë që e kam pëlqyer shumë në fëmijëri dhe rini dhe është një nga tortat që e kam pregatitë më së shumti pasi që kemi pasë arrat tona dhe zgjidhja më e mira ti konsumonim ishte me gatime.

Është recetë e lehtë, shumë e shijshme dhe nuk duhet ndonjë mjeshtëri e madhe që ta bëni. Nëse i keni arrat e qëruara bëhet shumë shpejtë. Për këtë ju duhet një grirëse manuale klasike e arrave, se për mua e ruajnë shijen e arrës, derisa ato me thika me rrymë pak e ndryshojnë shijen dhe arrat fillojnë të lëshojnë yndyrën por, nëse nuk e keni, e bëni me atë që e keni në shtëpi.

Kjo recetë është për një tortë të vogël, nëse doni ta bëni më të madhe thjeshtë e shtoni një kore dhe arra nuk ju duhen më shumë se 250 gr për fill/kremë. Koret mund ti bëni pa arra nëse doni por shtoni miell aq sa keni vezë.

Përbërësit (për 12 – 16 copë)

  • Për 2 koret e tortës:
    • 6 vezë të mëdha
    • 5 lugë sheqer
    • 1 pako sheqer vanile
    • 5 lugë miell
    • 2 lugë arra të bluara (rreth 20 gr)
    • 2 lugë kakao të situr
  • Për fillin/kremin:
    • 180 gr arra të bluara
    • 1/2 gotë tamël/qumësht
    • 5 – 6 lugë sheqer të kaftë (varet sa doni ëmbël mund të shtoni +2 lugë)
    • 80 gr çokollatë e zezë (me 70% – 85% kakao nëse gjeni)
    • 1 lugë liker arre apo lajthie ose rum (ose ndonjë tjetër që e preferoni)
    • 125 gr puter/gjalpë

Përgaditja

  1. Së pari i bluani arrat dhe i leni anash (180 gr për fill/kremën + 20 gr për koret)
  2. E lëshoni furrën në 200°C dhe e bëni gati një enë të thellë, me diametër rreth 20 cm – 22 cm (tenxhere që nuk e ka fundin e trashë), nëse doni që të bëni brumin përnjëherë. E lyeni me vaj poshtë dhe anash dhe ia qitni një letër për pjekje në fund. Nëse doni ti bëni ndarazi, në një tepsi të vogël për ëmbëlsira, e nxeni furrën në 180°C dhe poashtu e lyeni me vaj dhe e qitni letrën për pjekje në fund të tepsisë
  3. E sitni miellin në një enë, sitni kakaon dhe i shtoni arrat e bluara, dhe i leni gati
  4. Në një enë të thellë (ose enë të mikserit) i qitni vezët, vanile sheqerin dhe sheqerin dhe i tundni mirë deri sa të bëhet shkumë e dendur
  5. Tani e largoni nga baza e mikserit dhe i shtoni me kujdes pak nga pak masën e miellit të përzier duke e përzier me kujdes që të bashkëdyzohen
  6. E shprazni në enën e pregaditur dhe e futni në furrë që të piqet për 20 minuta – 30 minuta ose deri sa kur e shponi me një shkop brumi mos të ngjitet. Gjatë pjekjes mund të bie brumi pak në mes sidomos kur i bëni gjithë brumin së bashku
  7. Pasi që të piqet e largoni nga furra dhe e leni të pushojë në enë. Nëse i bëni ndarazi e përsëritni procesin
  8. Deri sa të ftohen koret, ose deri sa prisni që të piqet e dyta nëse i bëni ndarazi, e pregatisni fillin/kremën. I qitni arrat në një enë ku do ti zieni. I shtoni tamlin/qumështin dhe sheqerin dhe e lëshoni temperaturën në maksimum deri sa të fillon të merr pak valë dhe e ulni në mesatare. E zieni edhe pak duke e përzier deri sa të ndjeni aromën
  9. I shtoni likerin dhe çokollatën dhe e përzieni që të mos ngjitet dhe që të shkrihet çokollata. Kur e vëreni që ka filluar të trashet e mbyllni zjarrin dhe e largoni anash
  10. I shtoni puterin/gjalpin dhe e përzieni deri sa të shkrihet dhe bashkëdyzohet mirë. E leni të ftohet mirë
  11. E lironi brumin nga anash dhe e rrotulloni në një dërrasë apo enë ku do të mund ta preni më lehtë (nëse nuk e keni bërë ndarazi). E preni me një thikë të mprehtë dhe e ndani në dy kore
  12. E qitni koren e parë në enën që do ta mbani në frigorifer, mundësisht ndonjë që mbulohet speciale për torta/ëmbëlsira
  13. E lyeni me 1/3 e fillit/kremës dhe i qitni përmbi koren tjetër. Tani e lyeni me fillin/kremën e mbetur në të gjitha anët
  14. E zbukuroni me çkado që keni, pak arra të bluara, kokos, bajame apo me çokollatë
  15. E futni në frigorifer që të ftohet së paku 2 orë ose gjatë natës

Servimi

E servoni të ftohtë, me çaj ose kafe ose edhe me një gotë tamël/qumësht. Mbajeni gjatë tërë kohës në frigorifer deri sa ta kryeni.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment