Në Kosovë ka dy lloje të krelanës, krelanë të kollomojt (misri) dhe krelanë të grytë ose, siç e njohin disa, krelanë me duça e që është e ngjajshme me “hashlama” (turqisht) të Prizrenit por që dallon në pregaditje të brumit. Tek hashlama përvëlohet brumi për atë arësye edhe quhet hashlama (në turqisht përvëlim). Këtu do të pregatisim krelanë të kollomojt.
Ka shumë verzione të krelanës së kollomojt (misrit), me vezë, pa vezë, me tamël apo kos dhe vaj, apo me ujë dhe mazë. Unë këtu do ta bëj me vezë, kos dhe vaj.
Përbërësit (për 6 – 8 persona)
- 2 vezë (edhe ndonjë të bardhë nëse ju ka mbetur, keni rastin ti përdorni)
- 500 ml kos të trashë
- 100 ml ujë
- 1/4 lugë kripë
- 1 gotë (2.2 dcl) vaj ulliri (ose çfarëdo që preferoni)
- 1 gotë (2.2 dcl) miell gruri
- 2 gota miell misri
- 1 pako pluhur për fryrje
Përgaditja
- Së pari e lëshoni furrën në 220°C, e bëni gati një tepsi të gjatë (rreth 30 cm) dhe të ngushtë duke e lyer me vaj ose me puter/gjalpë (ose ndonjë formë tjetër që preferoni)
- Në një enë i përzieni miellin e grurit me miellin e misrit dhe pluhurin për fryerje
- Në një enë të thellë i tundni vezët me kripë, ia shtoni vajin e tundni pak dhe i shtoni kosin me ujin. I përzineni mirë dhe i shtoni miellin
- I përzieni mirë deri sa të bashkëdyzohet mirë dhe e zbrazni masën në enën e pregatitur dhe e rrafshoni pak
- E futni në furrë dhe e leni të piqet për 40 minuta – 45 minuta dhe të skuqet mirë sipërfaqja
- Kur të piqet, e nxjerrni nga furra dhe e leni të pushojë dhe të ftohet pak e mbuluar me pecetë
- Pas 15 – 20 minutash e lironi anash me thikë dhe e rrotulloni në ndonjë dërrasë në të cilën do ta preni
Servimi
E servoni të ngrohtë me djathë, turshi, ullinj ose dhe me pinxhur apo ajvar. Copat që ju teprojnë mund ti mbështjellni me letër kuzhine dhe pastaj me pecetë. Mund ta mbani deri të nesërmen në vendin e bukës. Nëse nuk e hani brenda 2 ditëve, nbajeni në frigorifer.







Ju bëftë mirë!