Gjoksi i shotës/rosës është pjesa më e mirë e shotës/rosës dhe është e vetmja pjesë që e duron pjekjen e shpejtë. Është shumë afër me fileton e viçit por më me shumë shije. E njëjta vlen edhe për gjoksin e gusës/patës dhe kjo recetë mund të aplikohet edhe kur të keni gjoks të gusës/patës.

Kur shota/rosa është më e rritur, mishi është më i fortë dhe është mirë që të marinohet për një kohë. Këtu do ta marinojmë me salcë soje dhe xhenxhefil të freskët që i jep shije fantastike.

Përbërësit (për 2 – 3 persona)

  • 2 copë të gjoksit të shotës/rosës (apo gusës/patës) rreth 550 – 600 gr
  • 4 – 5 lugë salcë soje
  • 1/2 lugë xhenxhefil i gërryer
  • 2 lugë vaj ulliri
  • 1 lugë lëng limoni ose limeti

Përgaditja

  1. I pastroni copat e gjoksit me pak ujë shpejtë dhe i kulloni mirë
  2. I përzieni të gjithë përbërësit tjerë në një enë që mund të mbyllet me kapak. I qitni copat e mishit dhe i lyeni mirë në marinadë, e mbyllni me kapak. E leni të marinohet, së paku 30 minuta deri në 2 orë, dhe i rrotulloni herë pas here. Për kohëzgjatjen 2 orë e mbani në frigorifer. E nxirrni nga frigoriferi 15 minuta para se të filloni me pjekjen
  3. E nxeni një fërtere në temperaturë mesatare dhe i qitni gjoksat me lëkurë poshtë. I leni së paku 8 minuta që të përzhiten dalë-nga-dalë në zjarrë mesatar dhe të lëshojnë yndyrën e vet. Kur vëreni që anash ka filluar të humbë ngjyra e kuqe e mishit i rrotulloni. I leni edhe 6 minuta tjerë
  4. Tani i ktheni në anët e ngushta dhe i pjekni edhe nga 1 – 2 minuta. Ia shtoni edhe lëngun e mbetur të marinadës dhe e mbyllni temperaturën
  5. E largoni mishin në një dërrasë ku do ta preni dhe e mbuloni me një enë që të pushojë 5 minuta
  6. Lëngu që ka mbetur në fërtere e ndani në një enë të vogël dhe e servoni së bashku me mishin

Servimi

E servoni menjëherë pasi që ka pushuar. Ia largoni lëkurën nëse është e fortë dhe e preni në copa të holla. Mishi duhet të jetë pak i kuq brenda. E servoni me polenta apo pure patatesh dhe me perime që i preferoni. Me mishin e shotës/rosës, dhe gusës/patës, përshtaten shumë salcat e frutave, si salca e kumbullave, të cilën mund ta servoni pak mbi copat e mishit ose anash në pjatë, vetëm për ata që e preferojnë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment