Tani është sezona e patateve vjeshtore dhe, nëse keni ku të gjeni patate bio nga ndonjë prodhues i vogël, shija është e pakrahasueshme. Pasi që kjo është recetë për supë, nuk duhet sasi e madhe e patatateve.
Unë kam përdorë këpurdha guaca të drurit por mund të përdorni cilatdo këpurdha që i keni.
Përbërësit (për 6 persona)
- 1 qepë mesatare
- 2 karrota të vogla ose 1 e madhe
- 2 thelpinj të mëdhenj hudre
- 3 patate të vogla (rreth 280 gr -300 gr)
- këpurdha 300 gr – 350 gr (cilindo lloj që e keni)
- 2 katrorka supe organike (opcionale, sidomos nëse keni lëng mishi nuk keni nevojë fare)
- 1.5 l ujë ose lëng mishi të lehtë
- 1 lugë rigon
- 1 e kuqe e vezës
- 3 lugë kos
- 1/2 lugë lëng limoni
- pak kripë (sipas nevojës)
- pak piper i zi
- 2-3 lug vaj ulliri për përzhitje + 1 lugë puter/gjalpë (opcionale)
Përgaditja
- Së pari qëroni qepën, hudrat, karrotat dhe patatet. I grimconi të gjitha me radhë
- Në një tenxhere të thellë për supë, e qitni vajin e ullirit dhe i shtoni qepët. I përzhitni për 3-4 minuta në temperaturë mesatarisht të lartë. I shtoni karrotat dhe i përzhitni 3-4 minuta, i shtoni hudrat dhe i përzhitni edhe 1 minutë
- I shtoni patatet dhe i përzhitni pak. I shtoni ujin dhe katrorkat e supës ose lëngun e mishit nëse keni (pa katrorka)
- E leni deri sa të merr valë, e ulni temperaturën në mesatare dhe ia shtoni rigonin
- Deri sa të zihen perimet, i grimconi këpurdhat dhe i përzhitni në fërtere me vaj ose puter/gjalpë në zjarrë të lartë që të marrin aromë. Nuk duhet të zgjasë më shumë se 5 minuta. I shtoni në fund pak kripë dhe piper të zi, i leni anash për më vonë
- Provoni a janë zier patatet dhe a ka mjaftueshëm kripë, i shtoni nëse ka nevojë pasi që në fund do të shtoni kosin që mund ta ulë sasinë e kripës
- Nëse janë zier patatet, e largoni nga zjarri dhe e bluani me blurëse vertikale
- E ktheni në zjarrë vetëm deri sa merr valë prap. E mbyllni zjarrin. Në një enë të vogël e tundni të kuqen e vezës me kosin dhe limonin. Ia shtoni supës duke e përzier që të shpërndahet mirë
- Tani i shtoni edhe këpurdhat ose mund ti leni që ti servoni në fund në pjata
Servimi
E servoni menjëherë, me pak piper të zi ose djathë të gërryer (si parmezan apo ngjajshëm) ose magdanoz të grimcuar.








Ju bëftë mirë!