Kjo është recetë e ngjajshme me byrjanin por që në këtë recetë është theksi më shumë tek mishi derisa spinaqi është plotësues. Unë kam përdorë shpatullën e edhit/kecit por lirisht mund të përdorni edhe ndonjë pjesë tjetër apo mund ta bëni me mish kingji/qengji por pa yndyrë, dmth ia largoni sa më shumë vjamin/dhjamin.
Është recetë e mirë kur keni musafirë pasi që është mjaft speciale.
Përbërësit (për 4-6 persona)
- Shpatull e edhit/kecit ose kingjit/qengjit (apo ndonjë pjesë tjetër, rreth 800-1000 gr me asht)
- 1 qepë mesatare
- 4-5 thelpinj hudër të paqëruar
- 4-5 degë të vogla të rozmarinit
- 1/4 gotës verë e bardhë (ose 2 lugë uthull molle e lehtë)
- 1/4 lugë kripë
- pak piper i zi
- 1-2 lugë vaj ulliri për përzhitje të qepës
- 1 kg spinaq
- 70 – 80 gr oriz (1 filxhan i kafes turke)
- 1 qepë e vogël
- 2-3 thelpinj hudre
- 1-2 lugë vaj
- pak piper i zi
- Për servim (opcionale)
- 6 lugë të plota kos
- 2 lugë vaj ulliri
- 1/4 lugë piper i kuq
Përgaditja
- E pastroni mirë mishin me ujë dhe e leni të kullohet. I largoni copat e vjamit/dhjamit nëse ka
- E grimconi qepën, i lani degët e rozmarinit, i lani hudrat e paqëruara që të ju largoni ndonjë papastërti. E qitni vajin dhe qepën në tenxheren me presion dhe e përzhitni në zjarrë të lartë për 5 minuta
- Ia shtoni copën e mishit dhe e përzhitni së bashku me qepën deri sa të skuqet pak në të dy anët
- Ia shtoni verën (ose uthullën) dhe e leni të avullohet pak
- Ia shtoni kripën, rozmarinin dhe hudrat e paqëruara dhe e mbyllni me kapak. E leni në temperaturë maksimale deri sa të marrë valë dhe pastaj e ulni në mesatare
- E leni të zihet për 45-60 minuta varësisht prej vjetërsisë së mishit. Mishi do të lëshojë lëngun e vet prandaj nuk ka nevojë ti shtohet ujë
- Deri sa të zihet mishi, e pastroni spinaqin me tre ujëra dhe e leni të kullohet (unë iu lë edhe bishtat)
- E pastroni orizini mirë me ujë dhe e ulni në ujë për 15 minuta. E derdhni ujin dhe e leni të kullohet
- Kur të zihet mishi e ndërpreni temperaturën dhe e leni që ti bie presioni
- E grimconi qepën dhe hudrën. E preni spinaqin në copa të mëdha (nuk ka nevojë të grihet hollë)
- E qitni vajin në një tepsi dhe i shtoni qepën e grirë. E përzhitni deri sa të fillon të skuqet pak. Tani i shtoni orizin që të përzhitet pak. Gjatë kësaj kohe e hapni kapakun e tenxheres së mishit dhe e ndani mishin nga lëngu. E kulloni lëngun nga qepët dhe mëlmesat dhe ia shtoni orizit. E lëshoni furrën në 220°C
- E leni që të zihet orizi në temperaturë mesatarisht të lartë dhe në momentin që vëreni që është gati të zbutet ia shtoni spinaqin dhe me kujdes e rrotulloni që të zbutet. Posa të zbutet i shtoni piperin e zi mbi spinaq dhe ia qitni edhe copën e mishit
- E futni në furrë që të piqet për 20-30 minuta
- E nxjerrni nga furra, e leni të pushojë 5 minuta
- E qitni kosin në një enë të vogël me një lugë për servim
- E qitni vajin në një xhezve dhe ia shtoni piperin e kuq. E leni në zjarrë vetëm deri sa të vëreni që ka filluar të vlojë
Servimi
E servoni menjëherë, me kosin dhe vajin me piper të kuq dhe me feta buke. Anash mund të servoni turshi ose sallatë.









Ju bëftë mirë!