Buka nore në Kosovë ka marrë emrin prej asaj që bëhet shpejtë dhe në të vërtetë do të thotë “bukë e dorës” pra bukë që kryhet në dorë dhe nuk ka nevojë të rrijë gjatë natës. Buka nore bëhet me miell, ujë, kripë dhe si agjent fryrës përdoret soda e bukës që me siguri e ka zëvendësu finjën. Në Shqipëri njihet si “kulaç”. Ka verzione tjera që përdorin kos ose edhe vezë por ajo nuk ka të bëjë me bukë nore tradicionale.

Për mua buka nore është shumë praktike, pasi që gatuaj bukën time çdo të dytën ditë, ndonjëherë nëse mbetem pa bukë, kjo recetë e shpejtë është shpëtim. Unë nuk e lë të pushojë dhe as nuk e ngjeshi shumë brumin, siç propozojnë disa, prandaj është shumë recetë e thjeshtë dhe shumë e shijshme.

Përbërësit (për 6 persona)

  • 500 gr miell
  • 1/4 lugë sodë buke (bikarboni)
  • 1/4 lugë kripë
  • 300 ml ujë

Përgaditja

  1. Së pari e lëshoni furrën në 210°C dhe e bëni gati një letër për pjekje dyfish
  2. Në një enë të thellë, ose drejt në dërrasë, i përzieni mirë miellin me sodën e bukës (bikarbone) dhe kripën. Duke e përzier me dorë (ose me lugë) filloni të shtoni ujin gradualisht deri sa të bëhet masa kompakte dhe e përshtashme që të ngjeshet. Mos e përdorni krejt ujin nëse brumi është mjaftueshëm i lagësht
  3. Filloni të ngjeshni brumin për afro 2-3 minuta derisa brumi të bëhet elastik
  4. E mbledhni në një formë topi dhe filloni ta hapni me dorë duke e shtypur gradualisht deri sa të hapet në një trashësi prej 2 gishta
  5. E qitni në letër të pjekjes dhe me një pirun i bëni vrimat që mos të ndahet korja gjatë pjekjes
  6. E futni mbi rrjetën e furrës dhe e pjekni për 30-35 minuta apo deri sa të skuqet
  7. E nxjerrni nga furra dhe e mbështillini me një pecetë kuzhine që të mbanë koret e buta
  8. E leni të pushojë për 10 -15 minuta

Servimi

E servoni të ngrohtë me djathë dhe domate ose turshi apo me çkado që ju pëlqen.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment