Recetë e shpejtë, që është gati për 30 minuta, kur nuk keni durim të prisni apo doni diçka të shpejtë për çaj. Brumi bëhet shpejtë dhe nuk ka nevojë të pushojë e as ta hapni, thjeshtë i formësoni me dorë. Nëse doni ngjyrë më të mbyllët përdorni sheqer të kaftë të errët.
Përbërësit (për 12-13 copë)
- 180 gr miell
- 1/3 pako pluhur për pjekurina
- 1/5 lugë sodë buke (bikarboni)
- 3-4 lugë sheqer i kaftë
- 60 gr puter i zbutur (apo i shkrirë por i ftohur)
- 1 lugë xhenxhefil i gërryer
- 1 vezë e tundur pak
Përgaditja
- Së pari e lëshoni furrën në 180°C dhe në tepsinë e furrës e qitni letrën për pjekje, nuk ka nevojë të lyhet me vaj
- I përzieni të gjithë përbërësit së bashku përpos vezës
- Tani e shtoni edhe vezën dhe e bëni bashkë brumin derisa formohet masë kompakte
- Me dorë e merrni nga një copë në madhësi të arrës dhe e bëni në formë të topthit
- I renditni një nga një në tepsi, nëse doni i shtypni pak me dorë, nuk ka problem nëse kanë pak çarje
- I futni në furrë dhe i pjekni për 15 minuta
- Pasi që të piqen i nxjerrni nga furra dhe i ftohni 5 minuta
Servimi
I servoni menjëherë me çaj ose tamël/qumësht. Nëse nuk kryhen i mbani në një enë me kapak.







Ju bëftë mirë!