Shotave/rosave dhe patave/gusave zakonisht ju ndaj gjoksin, pasi që është pjesa më e mirë që e zëvendëson shumë mirë fileton e viçit, e kështu mbetet ashti/kocka që është gjynah të hudhet pasi që është shumë e mirë të përdoret për supë.

Kjo është recetë tradicionale që bëhet me mish pule, por mund ta bëni me secilin lloj të zogut që keni.

Përbërësit (për 4-5 persona)

  • Për lëngun e supës:
    • ashti/kockat (aq sa keni) të shotës/rosës, gusës/patës apo pulës
    • 1 karrotë mesatare
    • 1 qepë e vogël
    • 2 gjethe dafine
    • 1/4 lugë kripë
    • 2 litra ujë
  • Për supën:
  • 1 qepë e vogël
  • 2-3 lugë puter/gjalpë (nëse lëngu i supës ka yndyrë mund ta zvogëloni sasinë)
  • 3 lugë miell misri
  • 3 lugë kos të trashë dhe të freskët
  • 1 e kuqe e vezës
  • 1 lugë lëng limoni
  • pak hudër të freskët bishtat ose magdanoz

Përgaditja

  1. Së pari e bëni lëngun e supës duke i zier të gjithë përbërësit së bashku. Në tenxhere me presion e zieni deri në një orë dhe në tenxhere të zakonshme së paku 2 orë
  2. Kur të jetë gati lëngu i supës, e kulloni dhe e coptoni ndonjë copë mishi që mund të ketë
  3. E grimconi qepën dhe në një tenxhere mesatare e qitni puterin/gjalpin në zjarrë të lartë dhe i shtoni qepët që të skuqen
  4. Kur fillojnë të skuqen qepët i shtoni miellin e misrit dhe e përzhitni duke pasur kujdes që të mos digjet por vetëm të merr pak ngjyrë të artë
  5. Kur të skuqet, e largoni anash nga zjarri dhe i shtoni lëngun e supës. E përzieni mirë me tel rrahës që të mos mbetet ndonjë grumbull i miellit
  6. E leni të zihet për afro 20 -30 minuta ngadalë
  7. E përzieni të kuqen e vezës me kosin dhe lëngun e limonit. I shtoni edhe hudrën apo magdanozin dhe, para se t’ia shtoni supës, e ndërpreni zjarrin
  8. Tani ia shtoni supës duke e përzier që të shpërndahet mirë. E mbani edhe pak mbi zjarrin e mbyllur që të mbajë nxehtësinë deri sa ta servoni
  9. Nëse ka copa të mishit i copëtoni dhe ia shtoni supës

Servimi

E servoni menjëherë, për fillim të drekës apo për darkë të lehtë. Kërkoj falje që nuk e kam foton e fundit të përfundimit të supës, kam harru ta fotografoj :-(.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment