Tani është stina e turshive dhe domatet e gjelbërta zakonisht përfundojnë në turshi. Në vendlindjen time, përpos në turshi, i përdorin edhe në gatime gjatë verës. Zakonisht gatuhet në tepsi me patate dhe shumë mazë të ëmbël. Edhe në Amerikë përdoren në gatime sidomos të fërguara në thërmia buke.
Unë këtu nuk do të përdori mazë por, për shije, do të përdori një lugë të madhe këri pluhur. Nëse ju keni mazë të freskët pa kripë, lirisht e përdorni, e shtoni në fund para përfundimit të zierjes, në këtë rast mund të mos përdorni këri pluhur. Nëse nuk keni pulë fshati, lirisht mund ta bëni me pulë të fermës.
Përbërësit (për 4-5 persona)
- 1 pulë apo gjel i fshatit (ose pulë e fermës)
- 1 lugë piper i kuq
- 1 lugë këri pluhur
- 1/4 lugë kripë
- 3 patate mesatare (rreth 600 gr)
- disa domate të gjelbra (270-300 gr)
- 1 karrotë e madhe
- 1 qepë mesatarisht e madhe
- 3-4 thelpinj hudër
- 1 spec i djegës (opcionale)
- 2 lugë vaj për përzhitje
Përgaditja
- Së pari e pastroni pulën/gjelin e fshatit (apo të fermës). E ndani në copë dhe ia largoni lëkurën nëse nuk doni të ketë shumë yndyrë. E qitni në tenxhere me presion dhe i shtoni piperin e kuq, kërin pluhur dhe kripën. Nëse është shumë e thatë i qitni 1/2 gotë ujë.
- E zieni për 30 minuta prej momentit që merr valë (për pulë ferme vetëm 15 minuta). E ndërpreni temperaturën dhe e leni që ti bie presioni deri sa ju i bëni gati perimet
- E grimconi qepën, hudrën dhe specin e djegës nëse e përdorni. E preni për së gjati karrotën në katër pjesë dhe e grimconi
- I qëroni patatet dhe i preni në rrathë të hollë
- I preni domatet e gjelbërta në rrathë të hollë
- E vendosni tepsinë në zjarrë mesatar dhe e shtoni vajin. I qitni qepët dhe i përzhitni për 3-5 minuta
- I shtoni hudrën e grimcuar, specin e djegës (nëse përdorni) dhe karrotat. I përzhitni për 5 minuta
- I shtoni patatet dalë nga dalë që të përzihen mirë me vajin. I shtoni edhe domatet e gjelbërta dhe i përzhitni pak
- Tani e hapni tenxheren dhe e largoni mishin në një enë
- Ia shtoni lëngun e pulës perimeve dhe nëse ju duket që nuk ka mjaft lëng i shtoni pak ujë, vetëm sa i mbulon perimet, dhe e leni të merr valë. Provojeni pak lëngun nëse ka nevojë për më shumë kripë. E lëshoni furrën në 200°C
- Nëse ju duket që mishi i pulës është shumë i zier, së pari i futni perimet në furrë dhe i leni të zihen për 20 minuta dhe pastaj e shtoni mishin. Nëse ju duket që mishi është i zier por ende kompakt mund ti qitni njëkohësisht me perimet në furrë. E leni të piqet në furrë për afro 35-40 minuta ose deri sa të vëreni që ka filluar të shteret lëngu dhe patatet janë zier. Mund ta mbani pak të lëngshme
Servimi
E servoni menjëherë, posa që të ftohet pak, me pak bukë dhe kos ose ndonjë sallatë.







Ju bëftë mirë!