Kjo është ëmbëlsirë e stinës që nuk kërkon shumë mund dhe në fund duket thuase keni harxhuar shumë kohë duke e përgatitur. Tani është stina e ftojve/ftonjëve dhe mollave. Tek unë ftojt/ftonjët kanë filluar të bien në tokë dhe janë të përshtatshëm për ëmbëlsira, pasi që ata që dua ti ha më pëlqen ti mbajë edhe pak kohë në degë, deri në fund të tetorit, që të bëhen më aromatikë dhe më të butë.
Përbërësit (për 8 -12 copë)
- 2 ftonj të mëdhenj
- 2 molla të vogla
- lëngu i një limoni
- 5-8 lugë sheqer (sipas thartësisë së ftonjëve dhe mollëve)
- 1 lugë kanellë pluhur
- 350 gr miell
- 100 gr sheqer (ose më shumë, por jo më shumë se 170 gr)
- 1/2 pako pluhur për gatim
- 170 gr puter/gjalpë në temperaturë dhome
- 1 vezë
- lëvorja e gërryer e limonit apo limetit (opcionale)
Përgaditja
- Së pari i pastroni ftonjtë dhe mollat nga gërdhoja. Nuk ka nevojë të qërohen, pëpos nëse ju duket që kanë lëvore të fortë që nuk zihet
- I coptoni në katrorë të vegjël dhe i qitni në një enë ku do ti zieni. I shtoni lëngun e limonit dhe sheqerin dhe i zieni për afro 5 minuta në temperaturë mesatarisht të lartë. Nëse ju duket shumë e thatë i shtoni shumë pak ujë vetëm sa mos të digjet. Në fund i shtoni kanellën dhe e largoni nga zjarri
- Tani e bëni gati një tepsi me diametër 22-24 cm që i largohet rrethi. E lyeni me puter/gjalpë në fund dhe anash. E lëshoni furrën në temperaturë 180°C
- Tani në një enë të thellë ovale i qitni të gjithë përbërësit: miellin, pluhurin për gatim, sheqerin, vezën dhe puterin/gjalpin e coptuar
- Me dorë filloni të përzieni të gjitha së bashku deri sa formohet një masë si trosha/thërmia
- E qitni pak më shumë se gjysmën e troshave në tepsi dhe e rrafshoni me dorë dhe e ngritni pak anash që të ndihmon ti mbanë frutat brenda brumit që të mos digjen
- I shtoni tani frutat dhe i rrafshoni mirë
- Tani i shtoni troshat e mbetura dhe i shpërndani njëtrajtësisht, mos i shtypni. E futni në furrë që të piqet për 40 minuta
- Kur të piqet e nxjerrni nga furra, e leni të pushojë për 20-30 minuta
- Tani me një thikë e lironi anash dhe e largoni rrethin e tepsisë. Nëse doni e pluhurosni pak me sheqer pluhur
Servimi
E servoni menjëherë, pasi që nuk ka nevojë të ftohet më shumë. E servoni me çaj ose kafe. Nuk ka nevojë ta mbani në frigorifer vetëm nëse zgjatë më shumë se dy ditë. Nëse e mbani në frigorifer, kur doni ta servoni e ngrohni shumë pak.










Ju bëftë mirë!