Ndonjëherë na duhet të pushojmë nga mishi, por edhe recetat e zakonshme vegjetariane na mërziten prandaj ia vlen të bëjmë eksperimente dhe të krijojmë diçka të shijshme edhe me perime. Kjo recetë bëhet me këpurdha dhe fasule të zeza, por ju mund të përdorni edhe fasule të kuqe apo ndonjë ngjyrë tjetër të mbyllët. Nëse nuk keni asnjë lloj të tillë mund të përdorni edhe fasule të bardhë.

Tentoni të përdorni këpurdha që kanë më shumë shije si p.sh. portobello që kanë ngjyrë të kaftë, por mund të përdorni edhe këpurdha të bardha.

Përbërësit (për 6 copë burgerë)

  • 200-220 gr këpurdha (portobello apo çfarëdo që preferoni) të grimcuara
  • 1 qepë e grimcuar (rreth 150 gr)
  • 2 thelpinj hudër të grimcuar
  • 1 kanaqe fasule të zeza (apo çfarëdo që keni) të shpërlara dhe kulluara (rreth 240 gr fasule pa lëng)
  • 50 gr trosha të bukës të thata (nëse nuk keni të gatshme mund ti bëni vet duke e tha bukën në furrë dhe pastaj e bluani, ju duhen 70 gr bukë)
  • 60 gr parmezan i gërryer
  • 1 vezë e madhe apo 2 të vogla
  • shumë pak kripë (pasi që parmezani ka kripë)
  • 1 lugë piper i kuq i ëmbël dhe pak pikant (sipas dëshirës)
  • 1/2 lugë këri pluhur (opcionale)
  • 1/4 lugë piper i zi
  • 1 lugë salcë soje (opcionale)
  • 3 – 4 lugë vaj për përzhitje dhe formësimin e burgerëve

Përgaditja

  1. Pasi që i keni grimcuar të gjithë përbërësit, e thani mirë fasulen, që e keni shpërlarë dhe kulluar, me letër kuzhine
  2. Në një fërtere e qitni pak vaj dhe i përzhitni qepët për 2-3 minuta. Ia shtoni hudrën dhe këpurdhat dhe i përzhitni për 5 minuta deri sa të shteret mirë lëngu që e lëshojnë këpurdhat. I leni që të ftohen
  3. Kur të ftohen këpurdhat i qitni të gjithë përbërësit në mikser, përpos vezëve, dhe i bluani pak, mos e teproni me bluarje
  4. Tani e tundni njërën vezë dhe ia shtoni. E përzieni mirë, nëse ju duket që masa nuk bashkohet, i shtoni edhe vezën tjetër gradualisht që të mos bëhet shumë e butë por vetëm të arrijë të bashkohet
  5. Tani i lyeni duart me vaj dhe i formësoni 6 burgerë (apo nëse doni më të vegjël i bëni 8)
  6. E qitni fërteren në zjarrë mesatarisht të lartë dhe i qitni 1-2 lugë vaj ulliri dhe, posa që të nxehet pak, e qitni njërën pjesë të burgerëve që të përzhiten. E përzhitni secilën anë 2-3 minuta dhe i rrotulloni me kujdes me një shpatull. Mund të jenë të shkrifta prandaj duhet të keni më shumë kujdes. Vazhdoni me pjesën tjetër të burgerëve dhe shtoni vaj nëse ka nevojë në fërtere deri sa ti përzhitni të gjitha

Servimi

I servoni menjëherë sa janë të nxehta me salcë kosi me tahini ose majonezë, në bukë të burgerëve apo në petë ose me bukë anash. Nëse keni turshi apo ndonjë salcë të djegës që e preferoni mund ta përdorni për plotësim të shijes.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment